Studentët e programit Banka, Financa dhe Kontabilitet nga Fakulteti Ekonomik, kanë realizuar një vizitë studimore në Bankën Ekonomike, në kuadër të lëndës Auditim.
Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me funksionimin e sektorit bankar, proceset e brendshme të punës dhe praktikat profesionale që zbatohen çdo ditë në një institucion financiar.
Fokus i veçantë gjatë vizitës iu kushtua rolit të auditimit të brendshëm, rëndësisë së pavarësisë profesionale, si dhe sigurisë së të dhënave financiare në institucionet bankare. Përmes diskutimeve dhe shembujve praktikë, studentët arritën të ndërlidhin njohuritë teorike të fituara gjatë ligjëratave me zbatimin e tyre në praktikë.
Në përfundim të vizitës, studentët u ndanë të kënaqur me përvojën e fituar, duke e vlerësuar këtë aktivitet si shumë të dobishëm për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.


