Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qendra për Karrierë dhe Fakulteti i Shkencave Sociale organizoi panelin e diskutimit me temën “Mirëqenia e Fëmijëve: Familja, Zhvillimi dhe Edukimi në Fëmijërinë e Hershme”, duke mbledhur profesorë, studentë, profesionistë të fushës dhe mysafirë të interesuar për të reflektuar mbi rëndësinë e mbrojtjes, zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve në vitet e para të jetës.
Paneli u hap nga drejtoresha e Qendrë për Karrierë, Jehona Rukovci, ku u diskutua mbi rolin e familjes, institucioneve arsimore dhe komunitetit në ndërtimin e kushteve që garantojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe edukative të fëmijëve, si dhe mbi sfidat me të cilat përballen prindërit dhe profesionistët në kohët moderne.
Të ftuar në panel ishin: Prof. Merita Shala, eksperte e zhvillimit të hershëm të fëmijëve; Ema Skeja, psikologe e zhvillimit të fëmijëve; Flutura Germizaj, drejtoreshë e kopshtit “Park School Montessori”.
Paneli u moderua nga dekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale, Mimoza Kamberi, ndërsa u trajtuan çështje që lidhen me mirëqenien e fëmijëve në Kosovë, sfidat e sistemit arsimor dhe nevojën për politika dhe praktika që vendosin fëmijën në qendër të zhvillimit shoqëror.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e edukimit dhe zhvillimit të hershëm, duke riafirmuar rëndësinë e investimit në brezat e rinj si themeli i një shoqërie të qëndrueshme dhe të zhvilluar.



