Në ambientet e Kolegjit AAB u shënua përmbyllja e suksesshme e fazës së dytë të programit “Knowledge Lab”, i cili zhvillohet në kuadër të projektit ndërkombëtar CreaTech. Me këtë rast, u bë edhe shpërndarja e certifikatave për studentët që kanë ndjekur rregullisht dhe kanë përfunduar me sukses trajnimin.
Ky program synon fuqizimin e studentëve në fushën e kreativitetit, inovacionit dhe zhvillimit të aftësive për ndërmarrësi.
Rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Blerim Olluri, përgëzoi studentët për angazhimin dhe përfundimin me sukses të programit. Ai theksoi se pjesëmarrja në trajnime të tilla ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin profesional të studentëve, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të ndjekin programe të ngjashme që ndihmojnë në rritjen e kompetencave dhe përgatitjen për tregun e punës.
Drejtoresha e Zyrës së Projekteve njëherazi monitoruese e projektit CreaTech, Ilirjana Geci, foli për rëndësinë e projektit, duke e cilësuar atë si një mundësi të jashtëzakonshme për studentët. Ajo theksoi se programi “Knowledge Lab” po zbatohet për herë të dytë me radhë, me qëllim që sa më shumë studentë të përfitojnë nga kjo eksperiencë, e cila nxit kreativitetin, mendimin inovativ dhe zhvillimin e ideve të biznesit.
Profesoresha Adelina Tahiri, trajnere në program, përgëzoi studentët për përkushtimin dhe pjesëmarrjen aktive gjatë gjithë trajnimit, duke vlerësuar seriozitetin dhe gatishmërinë e tyre për të mësuar dhe për t’u angazhuar në mënyrë të vazhdueshme.
Një nga studentet pjesëmarrëse Dorentina Abdyli, e përshkroi trajnimin si një “maratonë të vlefshme dhe një mundësi të jashtëzakonshme”, duke shprehur mirënjohje për Kolegjin AAB dhe ekipin organizativ për mundësinë e ofruar dhe mbështetjen gjatë gjithë programit.
Përmbyllja e fazës së dytë të “Knowledge Lab” u vlerësua si një tjetër hap i rëndësishëm në kuadër të projektit CreaTech, i cili vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale të studentëve te Kolegjit AAB.



