AAB dhe Hochschule Schmalkalden diskutojnë avancimin e programit të Gjuhës Gjermane

24 Qershor 2026

Në kuadër të mobilitetit Erasmus+, profesorët Armend Bytyqi, Miradije Miftaraj Bytyqi dhe Mehreme Gashi zhvilluan takime në Hochschule Schmalkalden, me drejtues dhe ekspertë të mësimdhënies së gjermanishtes si gjuhë e huaj.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua programit studimor të Gjuhës Gjermane në Kolegjin AAB. Ekspertët gjermanë ofruan rekomandime profesionale për avancimin dhe pasurimin e programit ekzistues, me synimin e përafrimit të tij me standardet bashkëkohore të mësimdhënies dhe kërkesat e tregut të punës.

Në këtë kuadër, u rekomandua shqyrtimi i mundësisë për përfshirjen e dy lëndëve të reja, të cilat do të zgjeronin ofertën akademike dhe do të kontribuonin në rritjen e cilësisë së studimeve në fushën e gjuhës gjermane.

Gjatë këtyre takimeve u diskutuan gjithashtu mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Kolegjit AAB dhe Hochschule Schmalkalden. Një vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të vizitave studimore në Gjermani për studentët, si dhe mundësive për zgjerimin e shkëmbimeve akademike në të ardhmen.

Po ashtu, palët shqyrtuan mundësitë e aplikimit në programet e DAAD, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe krijimit të projekteve të përbashkëta ndërkombëtare.

Share: