Kolegji AAB dhe Regional Anti-Corruption Initiative (RAI) shqyrtojnë bashkëpunimin në fushën e antikorrupsionit, integritetit dhe sundimit të ligjit

25 Qershor 2026

Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Blerim Olluri, priti në takim Drejtorin e Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit (Regional Anti-Corruption Initiative), z. Albert Hani, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit institucional në fushën e antikorrupsionit, integritetit publik dhe sundimit të ligjit.

RAI është një organizatë ndërqeveritare rajonale që përfshin nëntë shtete anëtare të Evropës Juglindore dhe ka për mision forcimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër korrupsionit përmes shkëmbimit të njohurive, praktikave më të mira dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në organizimin e konferencave shkencore, projekteve kërkimore, punëtorive dhe trajnimeve profesionale, si dhe në avancimin e kurrikulave universitare në fushën e antikorrupsionit, etikës dhe integritetit publik. Palët shqyrtuan gjithashtu mundësitë për përfshirjen e ekspertizës së RAI-t në aktivitete akademike dhe profesionale të Kolegjit AAB.

Me këtë rast, Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Blerim Olluri, theksoi rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare në forcimin e cilësisë akademike dhe zhvillimin profesional të studentëve.

“Bashkëpunimi me RAI paraqet një mundësi të rëndësishme për avancimin e njohurive dhe praktikave në fushën e integritetit, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit. Përmes këtij partneriteti synojmë të krijojmë mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin profesional, duke kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve dhe promovimin e vlerave të transparencës dhe llogaridhënies”, u shpreh Rektori Olluri.

Gjatë takimit u theksua edhe roli i Fakultetit Juridik dhe Kriminalistikës në promovimin e kulturës së integritetit, etikës profesionale dhe sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, ligjëruesja e Fakultetit Juridik, Ganimete Ismajli, vlerësoi se bashkëpunimi me RAI do të krijojë mundësi shtesë për rrjetizim rajonal, shkëmbim përvojash dhe zhvillim profesional për studentët dhe profesionistët e rinj sipas standardeve ndërkombëtare.

Në përfundim të takimit, palët shprehën gatishmërinë për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm institucional, me fokus në promovimin e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies, si dhe në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, kërkimit shkencor dhe iniciativave inovative në fushën e antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Share: