Ambasadori Çağrı Sakar, mbajti ligjëratë për politikën e jashtme të Turqisë

24 Prill 2021

Në kuadër të ligjëratave speciale me diplomatë të huaj, në Kolegjin AAB, për një ligjëratë me studentët e Fakultetit të Administratës Publike qëndroi ambasadori i Republikës së Turqisë, Çağrı Sakar.

Në ligjëratën për Politikën e jashtme të Turqisë, ambasadori turk në vendin tonë foli për rolin e vendit që përfaqëson në rajon, kontinent e më gjerë. Ai tha se Turqia ka marrëdhënie bilaterale me shtetet e Ballkanit Perëndimorë dhe mban lidhje të mira me të gjithë prej tyre.

“Politika Ballkanike e Turqisë miraton një parim të iniciativës rajonale dhe gjithëpërfshirëse”, tha Sakar duke nënvizuar se Kosova nuk ishte e përfshirë në iniciativa rajonale, ndërkohë që Turqia synon përfshirjen e secilit në Ballkan për të pasur sukses dhe bashkëpunim të vërtetë.

Ai gjithashtu theksoi se Turqia përkrah dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar foli edhe për zhvillimet e fundit diplomatike, lidhur me hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, për çfarë tha se Turqia nuk pajtohet me një vendim të tillë, madje e ka cilësuar si një veprim i rrezikshëm. Sipas Sakar, Kosova me këtë vendim ka thyer ligjet ndërkombëtare.

Ligjërata e diplomatit turk për studentë vazhdoi edhe me një seancë diskutimi ky studentët patën mundësi të marrin përgjigjet e tyre në pyetjet e shtruara për të ftuarin special.

Share: