Studentët e programit Përkujdesja dhe Mirëqenia e Fëmijëve vizituan Qendrat Burimore për Mësim dhe Këshillim në Prizren

21 Maj 2021

Një grup i studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, programi Përkujdesja dhe Mirëqenia e Fëmijëve, së bashku me profesoreshën Dr.Sc. Sevim Mustafa, vizituan Qendrat Burimore për Mësim dhe Këshillim “Lef Nosi” dhe “Nënë Tereza” në Prizren.

Studentët u pritën nga udhëheqësit e këtyre qendrave, të cilët i informuan studentët për punën që realizohet aty, me fëmijët me dëmtime intelektuale dhe me dëmtime të shumëfishta dhe fëmijë me dëmtime në dëgjim dhe në të folur.

Ata u informuan detajisht se si zhvillohet procesi mësimor tek fëmijët me dëmtime në dëgjim dhe në të folur përmes gjuhës së shenjave dhe ndihmës së interpretuesit të gjuhës së shenjave, ndërsa panë nga afër fëmijët dhe komunikimin e tyre me mësimdhënësit dhe bashkëmoshatarët nëpërmjet gjuhës së shenjave.Studentët mësuan se niveli i shkollimit te këto kategori fëmijësh, fillon nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme të lartë ku rëndësi e veçantë i kushtohet bujqësisë.

Mësimi zhvillohet njëjtë si në gjithë shkollat e Kosovës duke u bazuar në dokumentin e kurrikulës, por duke u përshtatur në nevojat individuale të secilit nxënës dhe punohet me plan individual dhe sipas fushave të aktiviteteve për secilin fëmijë i cili rishikohet dy herë në vit.

Studentët mësuan konkretisht se si hartohet një PIA (Plani Individual Arsimor) për secilin nxënës në bazë të nevojave individuale të nxënësit, dhe diskutuan po ashtu edhe rreth fushave të aktiviteteve që hartohen në bazë të nevojave të tyre individuale.

Gjatë vizitës, studentët patën rastin të shohin nga afër edhe disa nga klasat dhe hapësirat e tjera të qendrave, ku nxënësit vijojnë mësimet, dhe arrijnë të aftësohen me shkathtësi për jetë dhe njohuri të përgjithshme në fusha e lëndë të ndryshme.

Këto vizita u vlerësuan si shumë e dobishme për studentët, ngaqë ata morën informacione të shumta për punën e realizuar me shumë përkushtim nga ana e personelit me qëllim që fëmijët të arrijnë sukses në të gjitha fushat brenda qendrës dhe inkuadrimin e nxënësve në shkollat e rregullta.

Share: