Ka nisur në mënyrë solemne Shkolla Verore 2021 “Jeta sociale studentore”, e organizuar nga Kolegji AAB në bashkëpunim me Universitetin “Isa Boletini” nga Mitrovica, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin Metropolitan nga Tirana.
Në ceremoninë hapëse të edicionit të parë të kësaj Shkolle Verore, hapjen e këtij aktiviteti e bëri dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Kolegjin AAB, prof.ass.dr. Hysen Kasumi. Ndërsa nismën e këtij organizimi e përshëndetën dhe vlerësuan edhe rektori i Kolegjit AAB, Bjar Demjaha, profesoresha Sonila Daiu nga Universiteti Metropolitan Tirana, e asistenti Ridvan Aliti nga Universiteti i Tetovës.
Në ditën e parë të Shkollës Verore, në Qendrën Mediale në Kolegjin AAB u mbajt edhe debati “Mundësitë e institucioneve të Arsimit të lartë në zhvillimin e jetës sociale të studentëve”. Më pas, studentët pjesëmarrës të Shkollës, të shoqëruar nga stafi akademik dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, vizituan Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe qytetin antik “Ulpiana” në Graçanicë.
Ndërsa në ditën e dytë të Shkollës Verore, pjesëmarrësit u mirëpritën në hapësirat e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”. Me këtë rast u zhvillua debati me studentët në temën “Rëndësia e jetës sociale studentore: Shembuj nga përvojat e institucioneve ndërkombëtare – Jeta sociale studentore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Pas përfundimit të debatit, studentët dhe stafi vizituan Muzeun e Kristaleve në Mitrovicë.
Në fund të këtij aktiviteti janë ndarë edhe certifikata për pjesëmarrësit për kontributin e tyre në Shkollën Verore 2021.