Shoqata e Botuese e Shqiptarëve në Maqedoni, në kuadër të Panairit të Librit “Tetova 2015”, të organizuar në hapësirat e Qendrës Nacionale për Kulturë në Tetovë, këtë vit ndau edhe çmimin “Ramadan Sinani”.
Çmimi “Ramadan Sinani” u nda nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, dhe iu dha poetit nga Republika e Kosovës, Lulzim Tafa. Poeti Tafa duke pranuar çmimin ka thënë: “Janë dy arsye që më bëjnë që të ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar me këtë çmim, e para se ky çmim ndahet në një festë të librit këtu në Tetovë, e që për ne kosovarët Tetova ka qenë dhe mbetet dashura jonë e madhe, dhe tjetra për faktin se ky çmim e mban emrin e poetit dhe intelektualit të shquar Ramadan Sinani, me veprat e të cilit jam njohur si studentë e sidomos me librin e tij, “Kavallet e Sharrit”.
Ndërsa, kryetari i jurisë Salajdin Salihu, në arsyetimin e dhënies së çmimit ka thënë se; Lulzim Tafa ka arritur të krijoj një vepër poetike ku ndjehet magjia gjuhësore. Lirikat e tij shquhen për ekonomizimin e skajshëm të fjalëve, shpeshherë poezitë e tij janë sentenciale, e herë pas here me kthesa befasuese dhe mbresëlënëse.
Përveç përfaqësuesve të institucioneve, me rastin e ndarjes së çmimit morën pjesë edhe shumë dashamirë të librit dhe kulturës në përgjithësi.