Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u promovua libri “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, i autorit Arsim Sinani, botim i UET-Press.
Libri “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë” sjell një analizë të thellë të historikut të shqipes në ish- Jugosllavi e më pas në republikën e re të Maqedonisë deri më sot. Arsim Sinani duke folur para një auditori ku nuk mungonin politikanë e analistë nga Tirana, Mali i Zi e Maqedonia, si dhe pedagogë e studentë, ka thënë se në këtë libër ka sjellë disa teza që kanë të bëjnë me gjendjen aktuale të shqiptarëve në Ballkan. “Ne po shkojmë drejt krijimit të shtetit të tretë shqiptar në Ballkan dhe kjo është Republika e Maqedonisë, dhe maqedonasit duhet ta kuptojnë me shumë dashamirësi se ne duam të ndërtojmë me ta një shtet, të bëjmë një marrëveshje historike, për shkak se përballë grekëve, serbëve dhe bullgarëve, vetëm me ne mund të mbijetojnë dhe ky është mesazhi që unë i dërgoj inteligjencës së re maqedonase që të merremi vesh, sepse në këtë drejtim do të kenë mbështetjen tonë”, – tha ndër të tjera ai. Arsim Sinani duke u ndalur tek problemet me të cilat përballet gjuha shqipe sot, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi e Luginë të Preshevës, këmbënguli disa herë gjatë fjalës së tij, se gjithçka duhet të nisë nga Tirana zyrtare, në mënyrë që këtyre problemeve t’i jepet fund njëherë e mirë.
Ndërsa prof. dr. Romeo Gurakuqit gjatë promovimit të librit “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë” ka thënë se libri është një studim krahasues, i përqendruar në periudhën 1991-2014 dhe shumë më pak në periudhën e ish-Jugosllavisë së dytë. Autori merret me analizën historike dhe juridike të procesit aktual të njohjes së gjuhës shqipe në shtetin fqinj.
Në fund të promovimit të librit u zhvillua një debat mjaft interesant në mes të studentëve dhe autorit të librit, ku kryesisht u debatua përmbajtja e librit dhe ngjarjet që pasqyron libri.
Arsim Sinani ka botuar një varg punime shkencor në revista vendore dhe ndërkombëtare dhe është profesor i rregullt në Kolegjin AAB.