Shteti dhe donatorët gjermanë vazhdojnë përkrahjen për Bibliotekën e Kolegjit AAB

20 Janar 2016

Me ftesë të organizatës MOW, drejtori i Bibliotekës të Kolegjit AAB, Urim Sallauka, për disa ditë  me radhë  ka qëndruar në Gjermani, ku ka zhvilluar takime me personalitete të rëndësishme akademike, për mundësitë e bashkëpunimit dhe donacioneve të ndryshme nga shteti gjerman për Bibliotekën e AAB-së.

Sallauka ka pasur një takim edhe me profesor Gerhard Roetting,  i cili kishte vizituar më herët Bibiliotekën e Kolegjit AAB dhe ishte takuar me stafin dhe studentët tanë.

“Profesor Roetting edhe më herët i ka dhënë donacione bibliotekës sonë, dhe tani në takimet që kam pasur me të dhe me donatorë të ndryshëm, më është premtuar se shteti gjerman dhe donatorët gjermanë do ta ndihmojnë bibliotekën tonë me literaturë të ndryshme, me qëllim që t’u ndihmohet studentëve dhe studiuesve”, ka thënë Sallauka.

Biblioteka e AAB-së edhe më herët ka qenë përfituese e titujve  të librave në gjuhën gjermane dhe në gjuhën shqipe (përkthime), nga shteti dhe donatorët gjerman.

Të gjitha takimet me donatorë u bënë të mundshme me ndihmën e z. Valon Blakaj, i cili gjithmonë u del në ndihmë institucioneve kosovare respektivisht atyre edukativo-arsimore. Z. Blakaj jeton dhe vepron në Gjermani.

Share: