Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, në Kolegjin AAB, u mbajt konferenca “Familjet, jetë e shëndetshme dhe e ardhme e qëndrueshme”, e cila është organizuar nën patronatin e Fakultetit të Psikologjisë të Kolegjit AAB, në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare të Terapisë Familjare dhe Qendrën për Shërbime Humane dhe Zhvillim. Kjo konferencë e cila zgjoi interesim të jashtëzakonshëm te studiuesit dhe profesionistët e kësaj fushe nga vendi dhe shtetet e rajonit, ndërkaq qëllimi i saj ishte të nxjerrë në pah funksionimin e familjes në Republikën e Kosovës, sfidat me të cilat përballet ajo dhe të nxisë debatin për nocionet që prekin në thelb familjen, individët brenda saj në shoqërinë tonë.
Me rastin e hapjes së punimeve të konferencës, prorektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij ka thënë se jo rastësisht thuhet se bazë për një shoqëri të shëndoshë, të fortë e prosperuese është familja e fortë. “Çdo shoqëri, çdo shtet, duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë familjes, sepse pa familje të shëndoshë, as shteti e as shoqëria nuk mund të jenë të tilla. Të vetëdijshëm për këto, Kolegji AAB ka mirëpritur dhe mbështetur Fakultetin e Psikologjisë për organizimin e kësaj konference, me këtë tematikë mjaft të rëndësishme për shoqërinë në përgjithësi. Tema për familjen është e rëndësishme për shoqërinë shqiptare, duke pasur parasysh rrethanat historike e tradita e shoqërisë sonë në të kaluarën, si dhe sfidat që po i përjeton tash dhe ato që e presin familjen në të ardhmen”, – theksoi prorektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi.
Ndërkaq, prof. Mimoza Shahini, kryetare e Shoqatë së Kosovare të Terapisë Familjare, tha se ndihet krenare që u mbajt kjo konferencë në këtë ditë, që është Dita Botërore e Familjes. “Familja është filozofia nga ku kemi dalë të gjithë ne. Është vendi që sa herë ne ndihemi të pasigurt, ne kthehemi mbrapa. Është vendi që sa herë ne duam të ecim përpara, kthejmë kokën nga ajo. Është vendi ku ne shpesh ndihemi krenar, por ndodh ndonjëherë që të mos ndihemi krenar dhe në këtë aspekt është shumë e rëndësishme kjo konferencë”.
Në seancën plenare, me kumtesë u paraqit dr. sc. Tahir Latifi, me temën “Siguria sociale si çështje familjare: kujdesi brenda dhe ndërmjet gjeneratave në Kosovë”. Ai foli për turbulencat politike që kanë ndodhë gjatë viteve 80-ta , shkatërrimi i industrisë gjatë viteve 90-ta, dhe shkatërrimi gjatë periudhës së luftës 1998/99, ku si rezultat i kësaj shteti ende nuk ka krijuar politika të mirëfillta sociale. Ai tha se familja është ajo kryesorja që ofron siguri për anëtarë dhe fëmijët e saj, ndërkaq si rezultat i indikatorëve si: papunësia dhe varfëria del si rezultat se prindërit kujdesen për fëmijët jo sa janë vetëm si fëmijë të vegjël, por edhe pas kalimit të moshës 18 vjeç deri sa të gjejnë punë.
Por, z. Latifi tha se në të njëjtën kohë për shkak të pensioneve të vogla fëmijët kujdesen për prind dhe kjo lidhje ekziston ndërmjet gjeneratave në Kosovë.
Përveç seancës plenare punimet e konferencës u zhvilluan në dy sesione, ku prezantuan mbi 20 pjesëmarrës – studiues dhe profesionistë të fushave përkatëse, të cilët dhanë kontributin e tyre me punimet dhe gjetjet e tyre shkencore.
Sipas hulumtimit “Ndikimi i komunikimit në familje tek ankthi i adoleshentëve në familjet bërthamë dhe familjet e gjera: a dallojnë djemtë nga vajzat”, ku prezantuan autorët dr. sc. Merita Shala, Anesa Cucoviç dhe Lirim Berisha, dhe sipas rezultateve të këtij hulumtimi komunikimi brenda familjeve është pozitiv dhe inkurajues. “ Sipas hulumtimit, ekzistojnë disa faktorë për të cilët ne mendojmë që kanë ndikim në dallime në komunikimin ndërmjet meshkujve dhe femrave. Në kulturën kosovare është e dukshme se prindërit, konkretisht nënat i kushtojnë më shumë rëndësi komunikimit me vajza dhe kjo për arsye të përgatitjes së vajzës si grua dhe nëna në të ardhmen”, ka thënë Merita Shala. Ndërsa, hulumtuesja Ajete Kërçeli, në temën ”Ndikimi i familjes në sjelljet e çrregulluara të ngrënies”, ka thënë se gjetjet e këtij studimi tregojnë që komentet prindërore kanë parashikuar ngrënien e çrregulluar edhe pse inkurajimi prindëror për kontrollin e peshës ka shpjeguar më shumë variance në modelin e parashikimit.
Në fund të konferencës u tha temat e hulumtimeve të dala nga kjo konferencë do të jenë një vlerë e shtuar, jo vetëm të promovimit të familjes së shëndoshë, të asaj familje e cila e ruan atë kohezionin apo fleksibilitetin e saj, por të pajisjet edhe me shumë me instrumente të reja, që janë në hap me shkencën.
Ndryshe, të gjitha mjetet që janë grumbulluar si rezultat i participimit në Konferencë “Familjet, jetë e shëndetshme dhe e ardhme e qëndrueshme” , Kolegji AAB ia dhuroi Shoqatës Kosovare të Terapisë Familjare.