Edukatoret dhe psikologët e ardhshëm të AAB-së, aksione simbolike për të shënuar 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

24 Maj 2016

Ekspozita “Për ne pak, për ata do të thotë shumë” është ekspozitë e lodrave të ricikluara, të cilat janë punuar nga studentet e drejtimit Përkujdesja dhe Mirëqenia e Fëmijëve, dega në Prishtinë. Lodrat e ricikluara, që prodhojnë tinguj të ndryshëm muzikorë, janë realizuar në kuadër të lëndës së Muzikës, ndërsa pas ekspozimit, ato do t’ u  dërgohen  fëmijëve në nevojë.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është  të promovojë rëndësinë e hulumtimeve shkencore në fushën e edukimit, si dhe të ndihmojë studentët në zhvillimin e shkathtësive hulumtuese si dhe në prezantim”, ka thënë mësimdhënësja Alberita Bytyqi.

Studentet, të cilat kanë marrë pjesë në organizmin e këtij aktiviteti, u  shprehën shumë të kënaqura me organizimin. “Neve si edukatore të ardhshme, aktivitete e tilla na bëjnë më kreative, ndërsa fëmijët përmes këtyre lodrave përveç se argëtohen mësojnë edhe tinguj nga muzika”, ka thënë studentja Fatmire Lajqi.

Ekspozita do të jetë e hapur gjatë tërë javës, duke filluar nga ora 09:00- 13:00.

Ndërkohë në kampusin e Prishtinës, në AAB, po zhvillohet edhe aktiviteti tjetër i grumbullimit të lodrave për fëmijët në nevojë, organizuar nga Fakulteti i Psikologjisë.

Të dyja këto aktivitete do të shërbejnë për të shënuar simbolikisht Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershorin, kur edhe do të shpërndahen ato.

 

Share: