Doli nga shtypi numri më i ri i revistës kërkimore-ndërkombëtare THESIS, me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar, botim i Kolegjit AAB. Në këtë numër tematik janë përfshirë punime nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare për komunikimet dhe studimet mediatike, “Informacioni global përballë kulturave kombëtare”, e cila u organizua nga Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, Ecole Superieure de Journalisme të Parisit, shkolla më e vjetër e gazetarisë në botë dhe IPAG Business Shool të Parisit, e cila i zhvilloi punimet më 29-30 maj të vitit 2015, në Kolegjin AAB në Prishtinë.
Kryeredaktori i kësaj reviste Masar Stavileci, dhe zv/kryeredaktori Hasan Saliu, në vend të editorialit, në një shkrim të tyre kanë shkruar se konferenca “Informacioni global përballë kulturave kombëtare”, kishte për qëllim që të bëjë bashkë studiuesit e komunikimit masiv dhe medieve nga viset mbarëshqiptare dhe më gjerë; për të prezantuar gjetjet e kërkimeve të tyre mediatike; të shtojë përvoja, ide dhe të diskutojë për çështje të tjera relevante profesionale, duke i parë ato nga perspektiva historike.
Në konferencën në fjalë ishin prezantuar 45 kumtesa, ndërsa 29 punime janë përfshirë në revistën e cila ka gjithsej 800 faqe, në shqip dhe anglisht.
Numrin e ri të revistës mund ta merrni në bibliotekën dhe librarinë e AAB-së, dhe mund ta shfletoni gjithashtu edhe në uebfaqen zyrtare të Kolegjit AAB.
http://aab-edu.net/uploads/docs/thesis/2015/Thesis_02-2015_shqip%20(numer%20tematik).pdf