Prof. dr. Lulzim Tafa: Kur flitet për sukseset e AAB-së, flitet për sukseset e sektorit të Arsimit të Lartë të Republikës së Kosovës

30 Dhjetor 2015

Rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim Tafa, me rastin e festave të fundvitit, në veçanti falënderoi të gjithë stafin për punën e tyre të palodhshme, që e kanë bërë gjatë vitit që po e lëmë pas, pastaj për aktivitetet e shumta që janë organizuar nga AAB, duke u nisur nga ndërtimi i objektit të shtatë, këtu në Prishtinë, objekt ky më i madhi në vend dhe në rajon. Ndaj, “Lirisht mund të them se deri më sot investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në sektorin e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës dhe në rajon padyshim se është bërë në Kolegjin AAB. Sot ky Kolegj ka shtatë objekte universitare, të cilat funksionojnë në Prishtinë, Gjakovë dhe në Ferizaj”, ka thënë rektori Tafa, duke e përmbyll vitin kalendarik të aktiviteteve dhe të punës.

Po ashtu, rektori Tafa ka thënë se gjatë vitit që e lamë pas AAB ka organizuar katër konferenca shkencore në nivel ndërkombëtar si: “Arkitektura dhe Identiteti”, “Informacioni global dhe kulturat kombëtare”, “Funksionimi i shtetit juridik në Evropën Juglindore”, dhe konferenca shkencore në temën “Emigracioni ndërkombëtar dhe ndikimi i tij në shoqërinë bashkëkohore”. Këto aktivitet shkencore u bënë në bashkëpunim me universitet më prestigjioze të botës, ku kryesisht pjesëmarrës kanë qenë studiues dhe profesionistë të fushave përkatëse. Përveç tjerave rektori Tafa ka thënë se gjatë vitit që e lëmë, Kolegjin AAB e vizituan, por edhe mbajtën ligjërata speciale shumica e ambasadorëve të akredituar në Kosovë. Në fakt, diplomatët e huaj dhe ekspertët e shumtë, trajtuan tema nga më të ndryshmet me studentët e AAB-së, nëpërmjet të të cilave Qeverisë së Kosovës, por dhe botës i dërguan shumë mesazhe për Kosovën. Më mesin e shumtë të diplomatëve por edhe të ekspertëve të huaj, ishte ambasadorja e Gjermanisë, z. Angelika Viets, pastaj shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, ambasadorja, z. Konstantina Athanassiadou, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar (Anglisë), z. Ian Cliff, diplomati amerikan, z. Scott Lang, ambasadori norvegjez, z. Jan Braathu, ambasadori i Malit të Zi, z. Radovan Miljaniq, ambasadori i Hungarisë, z. László Márkusz, etj.

Me këtë rast rektori Tafa nuk ka lënë pa i përmendur edhe disa trajnime e ligjërata të mbajtura nga profesorët dhe ekspertët ndërkombëtar si: profesoresha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dr. Marry Ellen, profesoresha e njohur nga Universiteti Shtetëror i Kalifornisë, Ann Snow, phd. Andrea Griletto, pastaj ish-drejtori i Federatës Evropiane të Gazetarëve (FEG) në Bruksel, z. Marc Gruber, ministri i Shqipërisë, z. Erion Veliaj, prof. Tomasz Kamusella, nga Skocia, nga arkitekti zviceran Michael Mayer.

Kurse çmime janë ndarë për Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, z. Robert Bosch, që u laureua me Çmimin “Doctor Honoris Causa”, si dhe shkrimtarin nga Mali i Zi, z. Jevrem Bërkoviq, me Çmimin “Ali Podrmija”, etj, Po ashtu shumë student të AAB-së për t’i vazhduar studimet për master u pranuan në universitetet më prestigjioze në rajon, Evropë dhe botë.

 Rektori Tafa ka shtuar se nga viti ky vit i ri akademik – 2015/2016, por dhe për disa vite me radhë Kolegji AAB është përfitues i projektit “Erasmus+International Credit Mobility”, me të cilin janë një varg marrëveshjesh për bashkëpunim në nivelin ndërkombëtar. Po ashtu, ky institucion me shtëpinë e vete botuese ka publikuar një varg botimesh shkencore, e ndër to edhe dy numra të revistës shkencore me karakter ndërkombëtar “THESIS”. Njëherësh, ka botuar edhe libra të fushës akademike, të cilat mbështesin drejtpërdrejt plan-programet e Kolegjit AAB, por ka publikuar edhe tituj të librave nga fusha e letërsisë dhe të publicistikës, etj., si dhe biblioteka e AAB-së është pajisë me numër të madh të titujve më të ri shkencor. Po ashtu me qëllim që t’u ofrojmë studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë një program shumë prestigjioz, me organizime të veçanta, si ligjërata të shumta speciale, debate e tryeza, konferenca shkencore, si dhe aktivitete kulturore-artistike, sportive e humanitare, kemi organizuar manifestimin më të madh universitar në Kosovë, “Ditët e AAB-së 2015”.   Më pastaj, mund të thuhet se si  çdo vit tjetër, AAB-ja është institucioni për të cilën të rinjtë nga e gjithë Kosova dhe më gjerë kanë shfaqur interesimin për të studiuar, d.m.th. për vitin e ri akademik kemi pas interesim kulmues nga kandidatët e rinj.  Me një fjalë, kur flitet për sukseset e AAB-së, flitet për sukseset e sektorit të Arsimit të Lartë të Republikës së Kosovës.

Mesazhi i rektorit Tafa me rastin e Vitit të Ri 2016:

Të gjithë studentëve të AAB, stafit akademik dhe administrativ, si dhe gjithë partnerëve, dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës ju uroj festat e fundvitit dhe u dëshiroj suksese në vitin 2016.

Gëzuar për shumë mot!

Share: