Në vazhdën e vizitave të një pas njëshme të ambasadorëve të akredituar në Kosovë, një ligjëratë për studentët e AAB-së, në temën “Politika e jashtme e Francës”, sot e zhvilloi ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.
Diplomatja Daviet u ka folur studentëve për historikun e shtetndërtimit të Francës që nga mesjeta, Revolucionin Francez, dy luftërat botërore, si dhe për politikën e jashtme franceze.
Ajo nuk ka lënë pa përmendur edhe proceset aktuale nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe tha se zgjidhja politike në vend mund të vijë vetëm nga populli i Kosovës dhe liderët e saj politikë.
“E shoh që mbikëqyrja ndërkombëtare ka përfunduar dhe është një hap shumë i mirë që Kosova, tash keni një vend sovran dhe të pavarur. Krizat duhet t’ i zgjidhni vetë. Natyrisht se duhet të llogarisni edhe në shumicën e vendeve të BE-së dhe SHBA-ve. Duhet të keni marrëdhënie të mira me Serbinë që është vendi më i madh fqinj, pastaj me Shqipërinë, por mos harroni se jeni vend i pavarur dhe ky është flamuri i juaj”, theksoi ambasadorja Daviet.
Ajo tha se problemi më i madh i Kosovës vazhdon të jetë korrupsioni, dhe ndonëse ka marrëdhënie kontraktuale me BE-në, me këtë shkallë të korrupsioni, sipas saj, vështirë të vazhdohet më tej.
Duke folur për sistemet shtetërore, ajo tha se të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë sisteme të ndryshme, por që të gjitha janë vende demokratike: “Sistemi që e kemi ne në Francë, për mua është më i miri për Francën, por ju duhet ta dini nëse sistemi që është në Francë, është më i mirë edhe për ju. Ajo që është garanci për sistemin në Francë, është ajo që garanton stabilitet”, tha Daviet.
Sa i përket ngjarjeve të fundit në vend, diplomatja franceze tha se protestat janë të ligjshme, por dhuna nuk është e ligjshme, ndërsa zgjidhja e problemit do të vijë nga liderët politikë. Diplomatja franceze shtoi se bisedimet me Serbinë nuk janë në dëm të popullit të Kosovës, por se janë në interes të saj. “Kosova nuk është koloni, dhe dialogu me Serbinë nuk është kundër interesave kombëtare të Kosovës. Nuk dëshiroj të ju predikoj, por vetëm duhet t’ i referohem raporteve të vendit tim me Gjermaninë që kanë qenë konflikte shekullore… Tani këto dy vende e promovojnë Evropën. Dialogu është rruga më e mirë për t’i mbrojtur interesat tuaj kombëtare dhe për ta garantuar procesin e integrimit”, u shpreh ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet në bashkëbisedimin me studentët e AAB-së.