Studentët e programit master të Menaxhimit Sektorial të Kolegjit AAB, realizuan një vizitë dyditore studimore në institucionet dhe autoritetet arsimore, shëndetësore dhe kulturore në Republikën e Shqipërisë.
“Vizita kishte për qëllim njohjen me arritjet dhe sfidat në menaxhimin e institucioneve publike e private në sektorët përkatës në Shqipëri. Pos kësaj, vizita synonte shkëmbimin e përvojave dhe njohjen më të mirë të ndërsjellë në mes të institucioneve dhe profesionistëve në të dyja vendet”, ka thënë prof. Xhavit Rexhaj.
Studentët e Menaxhimit të sektorit të Shëndetësisë vizuan Qendrën Spitalore Universitare “Nëna Terezë” dhe u pritën nga drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, prof. dr. Mentor Petrela, me bashkëpunëtorë, ku u njoftuan për të arriturat dhe sfidat në menaxhimin e një institucioni që ofron shërbime kulminante për pacientët nga Shqipëria, rajoni e më gjerë. Përveç vizitës në objektin e Neurokirurgjisë studentët patën rastin të ndjekin prezantime nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë si; dr. Nevila Qaushi, prezantoi për politikat shëndetësore, Alma Kopliku, për funksionimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, dr. Lekë Hysenaj, për auditimin e spitaleve publike dhe private dhe dr. Adriana Bejleri, për paketat shëndetësore. Poashtu këta studentë vizituan edhe dy objekte të Spitalit Amerikan. Në të gjitha këto vizita e prezantime studentët patën rastin të shohin dhe të informohen për praktikat e mira, pajisjet, objektet, personelin dhe për sistemin e menaxhimit të këtyre institucioneve liderë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Ndërsa, studentët e Menaxhimi Sektorial në Arsim vizituan Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë – sektorin për Arsimin parauniversitar, ku u takuan nga udhëheqës në sektorin e arsimit parauniversitar Dritan Nela, Rosalba Basho dhe dr. Marjana Lako. Mikpritësit prezantuan politikat dhe trendet kryesore në arsimin parauniversitar, përfshirë dhe sfidat e arritjet në nivelet e shkollimit të mbuluar nga ky sektor.
“Gjatë kësaj vizite u zhvillua edhe një seancë ku u diskutuan trendet në edukimin parashkollor, në zhvillimin profesional dhe licencimin e mësimdhënësve dhe proceset kryesore të menaxhimit të edukimit e të arsimit në Republikën e Shqipërisë”, thotë prof. Rexhaj.
Po ashtu, studentëve vizituan edhe Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, ku u priten nga kryeinspektori Bashkim Muça, pastaj Universitetin Evropian të Tiranës, ku Presidenti i UET,prof. dr. Adrian Civici u foli studentëve për zhvillimet më të reja në arsimin e lartë në botë dhe strategjitë e UET-së për të mbajtur hapin me këto zhvillime.
Studentët e këtij sektori u takuan me udhëheqjen, pedagogët dhe studentët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Rektorja e universitetit “Aleksandër Mojsiu”, dr. Kseanela Sotirofski, u foli për punën e fakultetit dhe për programin e Menaxhimit dhe Mbikëqyrjes së Arsimit që realizohet në këtë fakultet.
Personeli dhe studentët e të dyja institucioneve bashkërisht diskuan për përparësitë e palëve në ofrimin e programeve dhe mundësitë e krijimit të sinergjive, kurrikulat e programeve, personelin, punësueshmërinë e të diplomuarve e të tjerë.
“Gjatë këtij diskutimi, pjesëmarrësit u dakorduan edhe për nisma të ndryshme të bashkëpunimit në shkëmbimin e studentëve e të personelit, në pjesëmarrje në ngjarje akademike e profesionale, në avancimin e kurrikulave e të tjera. Hapi i ardhshëm i bashkëpunimit u vendos të bëhet gjatë konferencës së ardhshme ndërkombëtare për Kulturën dhe Gjuhën që organizohet në qershor nga Fakulteti i Gjuhëve i Kolegjit AAB”, ka thënë prof. Xhavit Rexhaj.
Kurse, studentët e sektorit të Kulturës, të udhëhequr nga profesoresha Burbuqe Berisha, vizituan Teatrin e Operës dhe Baletit, Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, Akademinë e Filmit “Marubi”, Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe Tetarin Kombëtar Eksperimental.