Ndërroi jetë profesor Masar Stavileci

10 Tetor 2016

Profesori shumëvjeçar i Gjuhës dhe Letërsisë Franceze dhe rektori i parë i Kolegjit AAB, Masar Stavileci, ka ndërruar jetë në moshën 81 vjeçare.

I lindur në një familje me traditë intelektuale e patriotike në Gjakovë, profesor Masar Stavileci tërë jetën e tij ia kushtoi shkencës, dhe me punën e tij të palodhshme i dha kontribut të çmuar letërsisë franceze dhe në përgjithësi filologjisë.

Profesor Stavileci ka qenë  profesor, dekan i Fakulteti të Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB dhe rektor i parë i tij.

Ka mbaruar Normalen në Prishtinë dhe studimet universitare në Fakultetin Gjuhë dhe Letërsi Franceze në Universitetin e Beogradit. Ka specializuar në Universitetin e Zagrebit dhe të Sorbonës, në Paris. Ka mbrojtur magjistraturën në Zagreb. Ka bërë kërkime të gjata shkencore të doktoratës kryesisht në Paris e në Tiranë. Ka mbrojtur doktoratën në Fakultetin e Filologjisë së Universitetin e Prishtinës. Ka qenë dhe profesor i këtij universiteti deri më 2003.

Masar Stavileci ka botuar një numër të konsiderueshëm vështrimesh, kritikash e studimesh letrare në gazeta e revista të specializuara në Kosovë, në Shqipëri, në Francë, në Angli, si dhe në disa nga republikat e ish- Jugosllavisë. Ka marrë pjesë në kongrese, simpoziume, sesione dhe projekte shkencore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Është marrë dhe me përkthime letrare nga gjuhët e huaja në shqip. Ka bërë përkthimin e romanit Neveria të filozofit dhe të shkrimtarit të madh francez Zh.P. Sartre.

Përveç kësaj, ai ka botuar dhe disa vepra, prej të cilave: Iluminizmi në Letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Prishtinë, 1990; Tema letrare franceze, Prishtinë, 1996; Apologji e Çështjes Shqiptare, Prishtinë, 1998; Iluminizmi shqiptar, bot. II; Tiranë, 2000, “Elemente të stilistikës letrare” , Prishtinë, 2005; Apologji e Çështjes Shqiptare,bot. III, në 100-vjetorin e Pavarësisë, Tiranë, 2012.

Në Kolegjin AAB, profesor Stavileci ka qenë edhe drejtues i Shtëpisë Botuese AAB, si dhe kryeredaktor i Revistës Ndërkombëtare Shkencore “Thesis”.

Kolegji AAB ka pasur nderin ta ketë në gjirin e vet në pozitat më të larta profesor Stavilecin, prandaj edhe gjeneratat tjera do ta kujtojnë emrin e tij me pietet të lartë.

Vepra e profesor  Masar Stavileci do të shërbejë si porosi dhe udhërrëfyes për brezin e sotëm të shqiptarëve.

Prishtinë, 10 tetor 2016,

Share: