Prof. Arsim Sinani, dha ligjëratë speciale për studentët e nivelit master të Universitetit të Liezh, në Belgjikë

27 Tetor 2016

Profesori i Kolegjit AAB, Arsim Sinani, në cilësinë e një studiuesi, ishte i ftuar i Universitetit të Liezhit në Belgjikë. Ai para studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, Shkencave Politike dhe Kriminologjisë të nivelit master, mbajti një ligjëratë në temën: “Perceptimi i Ballkanit Perëndimor përmes Bashkimit Evropian dhe Turqisë”.

Në diskutimin e tij para studentëve të këtij fakulteti, prof. Sinani, në mes tjerash, ka thënë se e ka përjetuar nga afër shkatërrimin e Jugosllavisë, si dhe krijimin e shteteve të reja që dolën nga ish Republika Federative e Jugosllavisë si: Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja- Hercegovina dhe pavarësimin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, prof. Sinani ka thënë se kam pasur rastin që në vitin 1992, kur edhe Republika e Shqipërisë u demokratizua, të studiojë atje në Universitetin e Tiranës, dhe të krijojë perceptime individuale ndaj këtij vendi.

Gjatë kësaj ligjërate, prof. Sinani foli edhe mbi origjinën e nacionalizmave në Ballkanin Perëndimorë, duke dhënë një tablo të plotë se çka ndodhi në të kaluarën, dilemat dhe të ardhmen e kësaj pjesë drejt një rruge evropiane. “Qytetarët e Ballkanit përfitojnë vetëm nga një rrugë, ajo është Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian, kjo për shumë arsye, por në radhë të parë se ata ndihen evropianë”, ka thënë prof. Sinani.

Prof. Sinani, gjatë qëndrimit të tij në këtë institucion, u prit edhe nga drejtori i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike (CEFIR), prof. Sebastian Santander, me të cilin diskutuan për mundësitë e një bashkëpunim ndërinstitucional, për shkëmbim studentësh, profesorësh dhe projektesh me rëndësi për dy institucionet.

 

Share: