Me partnerë e pjesëmarrës të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfundoi me sukses Konferenca Virtuale Shkencore e organizuar nga Kolegji AAB

25 Tetor 2021

Mbi 100 pjesëmarrës nga vendi rajoni dhe bota, prezantuan rreth 80 punime shkencore në kuadër të konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare, që u mbajt virtualisht në Kolegjin AAB.

Konferenca “Evropianizimi, orientimi perëndimor dhe formimi i identitetit në shtetet e Ballkanit Perëndimor” u cilësua shumë e rëndësishme pasi Kosova po mëson rrugën e shteteve të anëtarësuara tashmë në Bashkimin Evropian.

Në hapje të konferencës, rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha tha se organizimet e këtilla dëshmojnë përkushtimin dhe një nga prioritetet e mëdha të Kolegjit AAB për zhvillimin e shkencës.

“Besoj se kjo konferencë do të japë një kontribut të madh edhe jashtë kufirit të Kosovës për shkak se tema është komplekse dhe disi e mbulon territorin e Evropës Juglindore”, theksoi Demjaha.

Për rëndësinë e konferencës foli edhe prorektorja për kërkim shkencor, Uranela Demaj, e cila tha se kjo konferencë bëhet edhe më e rëndësishme për arsye se po i bënë bashkë disa partnerë shumë të shquar nga jashtë, kryesisht nga Bashkimi Evropian, ndërsa për herë të parë në historinë e Kolegjit AAB e kemi partner edhe Universitetin e Bolonjës.

Konferenca është e rëndësishme sepse përçon mesazhin e bashkimit dhe të ndërkombëtarizimit, tha Demaj.

Ndërsa prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, Venera Llunji duke folur për organizimin e kësaj konference theksoi edhe rezultatet e pritshme të saj.

“Për ne ka shumë rëndësi të shohim se cilat janë qasjet të cilat ndikojnë dhe ndihmojnë në forcimin e identitetit të një shteti duke marrë parasysh që Kosova është shtet i ri. Asaj i duhet të krijojë identitetin e saj shtetëror, që do të thotë duhet të shohim se në çfarë rrugësh Kosova ecën që të jetë shtet i fortë në të gjitha aspektet e saj.”, tha Llunji.

Do theksuar se në sesionin plenar të konferencës, i cili zgjoi interesim te pjesëmarrësit referuan emra të njohur të shkencës nga universitete prestigjioze në botë, si: Prof.dr. Raymond Detrez, Ghent University nga Belgjika, Prof.dr. Pal Kolsto, University of Oslo nga Norvegjia, Prof.dr. Ines Aquile Junyent, Catalonia University nga Spanja, e Prof.assoc.dr. Besnik Pula, Virginia Tech, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konferenca “Evropianizimi, orientimi perëndimor dhe formimi i identitetit në shtetet e Ballkanit Perëndimor” zhvilloi punimet në 11 panele të veçanta, ku u trajtuan në aspektin shkencor problematika që kanë të bëjnë me çështje politike, ekonomike, kulturë, identitet, art, etj..

Share: