Kolegji AAB me Konferencë Ndërkombëtare të Sportit

11 Dhjetor 2021

Kolegji AAB në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komitetin olimpik të Kosovës, ka organizuar Konferencën Ndërkombëtare në Shkencat e Sportit. Në kuadër të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe të Sportit në Kolegjin AAB, të premten me 10 dhjetor nisi Konferenca Ndërkombëtare e Sportit, me ligjërues nga Bosnja e Hercegovina, Gjermania, Spanja, Maqedonia e Veriut, Kroacia e Turqia.

Kjo konferencë është bashkëpunim i Kolegjit AAB me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës e cila ka për synim, krijimin e një platforme që bashkon akademikë, studiues, instruktorë fizikë, shkencëtarë të sportit, nutricionistë, psikologë, fizioterapistë, trajnerë, ekspertë të jogës e politikëbërës, të cilët mund të ndajnë kërkimet dhe përvojat e tyre në fushat përkatëse. Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe të Sportit në Kolegjin AAB, Fatmir Pireva, ka hapur konferencën, ku të pranishëm ishin edhe zëvendës ministrja e sportit, Daulina Osmani dhe Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Zëvëndës ministrija e sportit, znj. Osmani foli për rëndësinë që ka kjo konferencë dhe se sa është i përfshirë sporti në vendin tonë nga perspektiva akademike.

 Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, ka përgëzuar AAB-në për organizimin e kësaj konference, për të cilën tha se pasqyron punën hulumtuese në aktivitetet sportive, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë.

“KOK synon që nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe sportive në vend, të kontribuoj në avancimin e edukimit dhe kërkimeve shkencore në sport, për çka muaj më parë kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi edhe me Kolegjin AAB, me qëllim të organizimit të aktiviteteve të përbashkëta për avancimin e sportit në vend”, tha ndër të tjera ai.

Për shkak të një numri të madh ligjëruesish nga vende të ndryshme të rajonit, konferenca po mbahet në gjuhën angleze dhe po mbulon një gamë të gjerë temash, nga sporti, mjekësia sportive, pedagogjia sportive, edukimi fizik dhe sportiv apo edhe marketingu sportiv.

Konferenca Ndërkombëtare në Shkencat e Sportit do të mbahet për dy ditë, më 10 dhe 11 dhjetor në ambientet e Kolegjit AAB.

Share: