Në Kolegjin AAB është mbajtur sesioni i parë i projektit “EduGrua”, projekt ky i organizuar nga Kolegji AAB dhe i përkrahur nga Insituti Suedez dhe Universiteti Lund i Suedisë. Lirie Hoti udhëheqëse e projektit, foli për qëllimin dhe rëndësinë e këtij projekti dhe çfarë pritet të ofrojë ai. Target grupi i këtij projekti janë gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat përmes sesioneve dhe ligjëratave të organizuara nga “EduGrua” do të motivohen të rrëfejnë historitë dhe sfidat e tyre.
Rektori i Kolegjit AAB, dr. sc. Bujar Demjaha e përkrahi këtë projekt duke shtuar se krenohet me përqindjen e lartë, ku mbi 50% e studentëve janë femra. Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, znj. Shkëndije Geci Sherifi e përshëndeti këtë iniciativë dhe e falënderoj Kolegjin AAB së bashku me studenten Lirie për nismën e këtij projekti.
Mbikqyrësja e projektit nga Insitutit Suedez, Aleksandra Adrich, poashtu u shpreh mjaft e kënaqur me punën e bërë deri tash dhe inkurajoj të gjithë që të ketë më shumë iniciativa të tilla. Profesoresha Venera Llunji, prorektore për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare, u shpreh se AAB është gjithmonë në gadishmëri për të bashkëpunuar dhe mbështetur projekte të tilla me akter të jashtëm.
Profesori Veton Vula, dekan i Fakulteti Juridik në AAB, me këtë rast prezantoj një hulumtim shkencor lidhur me rastet e dhunës në familje sidomos gjatë kohës së pandemisë në Kosovë. Ndërsa, përfaqësuesi dhe mbrojtësi i viktimave të dhunës në familje, Bekim Dugolli parashtroj detaje tjera rreth kësaj teme dhe e përgëzoj iniciativën e ndërmarrë.
Gjatë sesioneve të organizuara do të ketë musafire nga fusha të ndryshme dhe gra të cilat do të ndajnë tregime suksesi nga jeta e tyre. Hapësirë të veçantë do të kenë gratë të cilat janë pjesë të projektit, e që kanë ide për hapjen e ndonjë biznesi.