Në ambientet e Tetatrit “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, për studentët e Fakultetit të Psikologjisë dhe të Komunikimit Masiv të këtij institucioni, u mbajt workshopi për psikodramë, në të cilin ligjëruan psikoterapeutët e psikodramës si; Dalila Sinishtaj- Lekaj dhe Arife Veselaj.
Qëllimi i këtij workshopi ishte që t’u japë mundësi studentëve të njihen me psikodramën, me punën në grup, me psikoterapinë dhe me mundësinë e pjesëmarrjes në një grup të mirëfilltë psikoterapeutik.
Fillimisht u bë një prezantim i shkurtër i psikodramës, i strukturës dhe i teknikave që përdoren në këtë lloj terapie. Pastaj u caktuan rregullat e grupit dhe me vonë sipas temës që ishte përzgjedhur “Personazhi juaj i preferuar nga fëmijëria”, nëpërmjet sociodramës dhe fantazisë së drejtuar në skenë dolën të gjithë pjesëmarrësit.
Dekania e Fakultetit të Psikologjisë, Mimoza Kamberi, tha se tema nxiti shumë kujtime dhe nostalgji, emocione të cilat u bashkëndanë dhe mbi të cilat u punua me të gjithë anëtarët e grupit.
Znj. Kamberi shtoi se pjesëmarrësit u treguan shumë bashkëpunues si dhe u ndanë shumë të kënaqur nga ky aktivitet, duke shprehur interesim për të zgjeruar njohuritë e tyre për psikodramën në një të ardhme të afërt.