Doli numri i ri i revistës shkencore Thesis, me recension ndërkombëtar

22 Gusht 2017

Doli nga shtypi numri i ri i revistës shkencore ndërkombëtare, Thesis, e cila në këtë numër përfshin 8 punimet e pranuara nga bordi ndërkombëtar, nga thirrja për punime e shpallur nga revista në fillim të këtij viti. 

E veçanta e këtij numri është se revista ka aplikuar recension të dyfishtë anonim, që do të thotë se vlerësuesit nuk e kanë ditur emrin e autorit, e as autori e ka ditur se kush ka qenë vlerësuesi i punimit të tyre. Recensentët janë anëtarët e bordit të redaksisë, të cilët vijnë nga: Franca, Italia, Bosnja e Hercegovina, Greqia, Shqipëria, ShBA, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia dhe Sllovenia. Nga ky numër, revista ka hequr redaksinë vendore që e ka pasur deri më tani. 

Vlen të theksohet gjithashtu se në thirrjen për punime (Call for papers), janë dërguar 58 abstrakte, prej të cilave vetëm 32 abstrakte kanë marrë përgjigje pozitive. Por, nga 21 punimet e derguara, vetëm tetë prej tyre kanë marrë përgjigje pozitive nga recensioni i dyfishtë anonim.

Lexuesi në këtë numër gjen artikuj shkencorë nga fusha e ekonomisë, gjuhësisë dhe metodologjisë së mësimdhënies, nga fusha e menaxhimit, shkencave politike etj. 

Numri i ardhëm i revistës pritet të dalë në fund të këtij viti.

Share: