Edicioni i parë i PITF, nisi me shfaqjen kroate “Dhe jetuan të lumtura…?”

17 Tetor 2017

Ekipi kroat me shfaqjen “Dhe jetuan të lumtura…?”, nisi edicionin e parë dhe rrugëtimin pesë ditorë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival” brenda hapësirave të Teatrit AAB “Faruk Begolli”

Kjo shfaqje erdhi nën realizimin e produksionit të Ines Bojanic – Scena Gorica, me autore Nina Horvat dhe regji të Frana Marija Vrankovic, në shfaqje u paraqiten aktorët kroat: Jelena Hadzi Manev, Mia Krajcar, Doris Pincic Rogoznica dhe Selma Mehic. Kjo shfaqje synon njërin nga çmimet e këtij festivali, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë.

Ilir Tafa, drejtori i këtij festivali gjatë hapjes paralajmëroi se festivali do të jetë tradicional. “Shpresoj që edhe viteve të tjera të jemi së bashku, ndërsa trupat teatrale i falënderoj që kanë ardhur në Kosovë, që kanë ardhur në Teatrin e AAB-së “Faruk Begolli””, tha Ilir Tafa.

Ndërsa Marija Kapitanoviq, ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, festivalin e ka cilësuar si një derë e njohjes se kulturave fqinjësore.

“Ne kemi humbur lidhjet me njëri- tjetrin në kuptimin e njohurive lidhur me shoqëritë tona të modernizuara. Aktivitete si këto bëjnë regjionet bashkë dhe kjo është e rëndësishme sepse ne duhet të jemi të lidhur jo vetëm për njëri-tjetrin por të rinjtë që janë këtu , të cilët duhet të njohin njëri- tjetrin, dhe kjo është mënyra e vetme për t’i hapur mendjet dhe të marrin njohuri të reja për të ardhmen e tyre”, ka thënë Kapitanoviq.

“Dhe jetuan të lumtura…?” , në skenë shfaqja nis me personazhin “Bukuroshja e fjetur”, e cila zgjohet pas 100 vjetësh në një realitet modern, dhe gjatë tërë kohës shfaqet e pasionuar pas rrjeteve të reja sociale ndërsa nesër pret ditën e saj të martesës me rreth 600 të ftuar. Pastaj gjate natës së beqarisë shfaqet “Hirushja” dhe “Borëbardha” .

Personazhi i Hirushes, nënë e katër vajzave, e tradhtuar nga burri dhe hakmarrëse po ashtu me tradhti.

Ndërsa “Borëbardha”, e cila dëshiron të divorcohet gjatë tere kohës e përshkruan burrin e saj si një egoist dhe jostabil.

Në këtë natë të beqarisë personazhet dehen, duke pi lloj-lloj alkooli, dhe fillojnë të flasin veç e veç për problemet e tyre lidhur me martesën dhe tradhtinë brenda saj.

Kulmi i shfaqjes vjen kur “Bukuroshja e fjetur”, rrezikon të humbas dasmën e saj të ëndrrave pasi që ajo zbulon tradhtinë e saj ndaj burrit të saj të ardhshëm, me burrin e njërës nga personazhet në skenë.

“Bukuroshja e fjetur”, e pranon faljen dhe shfaqja përfundon me këngë dhe valle.

Ky festival do të vazhdoi të sjellë shfaqje të ndryshme, ku të martë jenen dy shfaqje:

“Shërbëtoret”, duke filluar nga ora 17.00, dhe “Shenjtorja e errësirës”duke filluar nga ora 20.00.

Share: