Sonte nga ora 20.00 në “PITF 2017” do të jepet shfaqja nga Shkupi “Darka e Thërrimeve”

20 Tetor 2017

Sonte, në natën e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” do të jepet shfaqja “Darka e Thërrimeve”, me ekipën e saj nga Shkupi, e autorit Refet Abazi, nën regji të Qëndrim Rijanit, ku luajnë aktorët: Luran Ahmeti, Armenis Nokshiqi.

Në konferencën sotme për media, drejtoresha artistike e PITF 2017, Burbuqe Berisha, tha se pjesëmarrja e Teatrit Shqiptar të Shkupit me shfaqjen “Darka e Thërrimeve” e pasuron këtë festival, pasi që sipas saj, është njëra ndër shfaqjet më të mira teatrale, e cila edhe ka marrë pjesë dhe ka fituar disa shpërblime nëpër festivale të ndryshme.

“Lurani është njëri prej aktorëve me të cilin kam pasur fatin herën e fundit edhe me punu me të. Një aktor i cili ka bërë një karrierë shumë të madhe në arenën ndërkombëtare, kryesisht në Turqi, aktor i filmit “Taken 2″. Armenisa gjithashtu është njëra prej aktoreve më të kërkuara në Maqedoni, si në gjuhën maqedonase, ashtu edhe në atë shqipe”, tha drejtoresha Berisha.

Ndërsa , aktori i shfaqjes “Darka e Thërrimeve”, Luran Ahmeti, në fjalën e tij u tregoi gazetarëve se teksti i kësaj shfaqje ka pësuar ndryshime të shumta gjatë procesit të punës dhe se është një shfaqje e bazuar në intuitë dhe emocione aktori.

“Është një tekst i një aktori, i cili po tenton të bëhet edhe dramaturg kohën e fundit. Teksti ka pësuar shumë ndryshime gjatë procesit të punës. Kjo ka qenë në marrëveshje me regjisorin, me Armenisen, mua dhe autorin, që në fillim të provave, me e trajtu të gjithë projektin si një laborator. Autori ka qenë i hapur për ndryshime drastike brenda në tekst, duke e pa nevojën si po na qojnë punët, çka ndjejmë ne që i duhet këtij teksti, çka ndjejmë ne që është e tepërt apo ka mangësi. Është më shumë e bazuar në intuitë dhe emocione aktori, sepse është e shkruar prej një aktori dhe është e korrigjuar dhe e përpunuar prej dy aktorëve të tjerë në skenë”, tha ai.

Aktori Ahmeti, në këtë konferencë nuk kurseu edhe politikën në trojet shqiptare lidhur me gjendjen në të cilën gjendet teatri, duke thënë se mentaliteti i politikës në të gjitha këto vende duhet të ndryshojë radikalisht sa i përket kulturës.

” Ne kemi një mentalitet ku kulturën e anashkalojmë në maksimum, sepse besojmë se kemi punë të tjera më të rëndësishme. Ndërkohë që në tërë trojet tona po ndodh një akt i ç’kulturizimit të madh i popullatës duke i anashkalua kulturat, njëkohësisht edhe teatrin”, theksoi , aktori i shfaqjes “Darka e Thërrimeve”, Luran Ahmeti.

Share: