Organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës i Arteve dhe në bashkëpunim me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, në Kolegjin AAB, filloi punimet Konferenca Kombëtare e Arkitekturës “archiKOMB – Arkitektura Bashkëkohore Kombëtare”.
Kjo konferencë synon të bëjë një hap para në zhvillimin e hapësirës ndërvepruese gjithëshqiptare, ajo njëkohësisht ka për qëllim të krijojë paradigmën e identiteteve të reja kombëtare të krahasueshme me identitetet botërore.
Në këtë konferencë, ku po marrin pjesë një numër i madh i studiuesve të arkitekturës, ndërtimatarisë e urbanizmit nga trojet shqiptare, do të diskutohen tema që ndërlidhen me modernizimin e arkitekturës kosovare; refleksionin arkitektural të një qyteti shqiptar; traditën arkitekturale, arkitekturën e gjelbër, etj..
Në ditën e parë të konferencës, me punimet e tyre u paraqitën arkitektë e inxhinierë të njohur si Përparim Rama, Ilir Gjinolli, Ardita Byci, etj.
Në prezantimin e tij “Modernizimi Kosovar 1945-1991”, dr. tec. Ilir Gjinolli përmendi zhvillimet e Kosovës në arkitekturë që nga vitet e 50, duke mos i lënë anash edhe dëmet që arkitektura i ka bërë vendit që nga ajo kohë. “…Arkitektura në Kosovë ka pasur degradime të llojit të saj, por në të njëjtën kohë kemi objekte të rëndësishme për Shtetin e Kosovës”, tha në mes tjerash Gjinolli.
Promovimi i arkitekturës së gjelbër, ishte një temë tjetër me rëndësi në ditën e parë të archiKOMB. Arkitektja Ardita Byci në prezentimin e saj tha se poaq sa është i rëndësishëm objekti i po të njëjtës rëndësi është edhe ambienti. “Ambienti është i po të njëjtës rëndësi sikurse edhe objekti. Ndoshta edhe më i rëndësishëm. Arkitektura respekton njeriun dhe mjedisin, Arkitekturë që empatizon, arkitekturë që ndjen impluset e vendit dhe ato i reflekton në mënyrë sublime tek shfrytëzuesit e saj” tha ajo.
Punimet e konferencës archiKOMB do të zhvillohen për dy ditë me radhë, më 21 dhe 22 nëntor 2017, në Teatrin AAB “Faruk Begolli”.