Nis projekti studentor “Bëhu një mik, jo një bullizues”

14 Qershor 2022

Me qëllim të fuqizimit të rolit të studentëve, rritjes së aktiviteteve jashtë kurrikulare si dhe pasurimit të jetës studentore, Kolegji AAB ofron mbështetje financiare për studentët përmes granteve për projekte. Në një garë të ngushtë mes projekteve studentore, fitues doli të jetë projekti i studentëve të vitit të tretë në Fakultetin e Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB. Projekti studentor “Bëhu një mik, jo një bullizues” është projekt i financuar nga Kolegji AAB dhe është në implementim e sipër nga studentët e nivelit bachelor të Fakultetit të Gjuhës Angleze.

Projekti me titull “Bëhu një mik, jo një bullizues” është implementuar nga koordinatorja e projektit Artiola Kajtazi dhe studentët: Erleta Morina, Njomzë Hajrizi, Valdete Menxhiqi dhe Leart Halili. Projekti ka për qëllim të rris vetëdijen e studentëve rreth bullizmit si fenomen, me theks të veçantë brenda institucioneve arsimore. Objektivat e projektit janë informimi i studentëve rreth pasojave, masave parandaluese dhe ballafaqimit me bullizëm si dhe të inkurajojë studentët të ndajnë historitë e tyre personale, me shpresë që kjo do t’i vetëdijesojë studentët tjerë rreth pasojave të këtij fenomeni.

Diskutimet me panelistë do të mbahen më 18 dhe 22 qershor, derisa do të marrin pjesë studentë, psikolog dhe ata që ranë pre e bullizmit në shoqëri qoftë edhe ndërkombëtarisht.

Share: