Valon Kashtanjeva: Shkelja e të drejtës së autorit mund të konsiderohet vepër penale

21 Dhjetor 2017

Drejtori i zyrës për të drejtat e autorit në Ministrinë e Kulturës, Valon Kashtanjeva sot para studentëve të Kolegjit AAB, ka mbajtur një ligjëratë, ku foli për pronësinë intelektuale dhe të drejtat e autorit.

“Sistemi i të drejtave të autorit në Kosovë është shumë i ri dhe gjendet në përgjithësi në fazat fillestare të krijimit” tha Kashtanjeva. Ai shtoi se gjendja në Kosovë është problematike edhe pse ne çdo herë në të gjitha këto tubime që i mbajmë për vetëdijësim, kemi bërë thirrje që të përdoren këto mjete juridike të cilat gjenden në kuadër të ligjit për të drejtat e autorit.

Ai informoi studentët se kjo kornizë ligjore mundëson që të ngriten edhe kallëzime penale apo t’ i drejtohen edhe policisë, prokurorisë kompetente për të kërkuar mbrojtje kur të drejtat e autorit shkilen.
Tutje Kashtanjeva shtoi se në vendin tonë ndodhin rëndom shkelje të të drejtave që i përkasin autorëve apo pronarëve të këtyre krijimeve, kjo për faktin se mungesa e informacionit lidhur me rëndësinë e aseteve intelektuale dhe mbrojtjen e tyre, automatikisht cënon të drejtat që u përkasin krijuesve.

Shkelje të tilla ekzistojnë kudo dhe eliminimi totalisht i tyre do të ishte i pamundur, megjithatë, në rang shtetëror dhe individual mund të merren masa për minimizimin e tyre, tha Kashtanjeva.

Share: