Buxheti i vogël mbetet sfida kryesore në Shërbimin Korrektues të Kosovës

19 Mars 2018

 

Buxheti i vogël është një prej problemeve kryesore që ka Institucioni i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Këtë e tha ushtruesi i dëtyrës së drejtorit të SHKK-së, Rasim Selmani, në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB.

Ai tha se ky institucion ka shumë kërkesa që duhet të përmbushen, por që të cilat ende mbesin sfida për shkak të mungesës së buxhetit.

Ndër ndër to, sipas drejtorit Selmani, është edhe risocializimi i të burgosurve me punë dhe angazhim gjatë kohës sa janë duke e mbajtur dënimin.

“Tani për tani kemi rreth 43% të të burgosurve të cilët punojnë, e që nuk është ajo çfarë ne dëshirojmë të arrijmë. Synimi ynë është që ata të burgosur të cilët kanë aftësi për punë t’i aktivizojmë ose t’i punësojmë, në mënyrë që të përfitojnë ata, të përfitojë shoqëria në përgjithësi, si dhe institucioni”, tha drejtori Selmani.

Ai në këtë ligjëratë për studentët e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, përmes një prezantimi tregoi specifikat kryesore se si funksionin SHKK-ja, burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Kosovë, trajtimi i të burgosurve, si dhe projektet e ardhshme për avancimin e mëtejshëm të këtyre shërbimeve.

Një fjalë rasti në këtë ligjëratë e mori edhe zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, i cili tha se “këto takime dhe debate janë të rëndësishme për faktin se është qasje e Kolegjit AAB që në metodologjinë e vet të punës, të bëjë lidhjen e drejtpërdrejtë mes dijeve teorike me shkathtësi praktike të punës”.

Ndërsa, dekani i Fakulteti Juridik të Kolegjit AAB, Muhamet Kelmendi, në fjalën e tij tha se studentët e Kolegjit AAB, do të vazhdojnë me vizitat në qendrat korrektuese të Kosovës, në mënyrë që të mësojnë edhe nga afër se si funksionojnë ato.

Në kuadër të kësaj ligjërate pati edhe bashkëbisedim me studentët e Kolegjit AAB, ku ata parashtruan pyetje, të cilave iu përgjigj ud-Drejtori i SHKK-së.

Kujtojmë se Rasim Selmani është një ish-student i Kolegjit AAB. Ai ka përfunduar studimet bachelor dhe master në Fakultetin Juridikut të Përgjithshëm në këtë kolegj me sukses të lartë. Selmani ka diplomuar në master në Drejtimin Juridik- Penal me temën “Trajtimi i të dënuarve gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese Dubravë 2007-2012”.

Në muajin maj të vitit 2014, Rasim Selmani, ishte emëruar drejtor i Burgut të Sigurisë së Lartë, ndërsa, në fund të muajit shkurt të vitit 2018, ai u emërua Ushtrus Dëtyre të drejtorit të Institucionit të SHKK-së.  

Share: