Në jubileun e parë të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kolegji AAB dhe Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare, mbajtën tryezën tematike “10 vjet Kushtetutë”.
Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, ka rikujtuar me këtë rast kohën e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, siç tha ai, për më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke siguruar kështu rendin kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes dhe vlerave të përshkruara në nenin 7 të Kushtetutës. Rektori Tafa ka vlerësuar gjithashtu se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është ndër kushtetutat më të mira jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë: “Kushtetuta e Republikës së Kosovës me 162 nenet e saj të shpërndara në 14 kapituj është ndër kushtetutat më të mira jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe më gjerë”.
Për përgjegjësinë institucionale për zbatimin e Kushtetutës në këtë tryezë foli Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili tha me këtë rast se sot dhjetë vite pas, nga kjo ngjarje e madhe politike, juridike e historike jemi krenarë që kemi dëshmuar se dimë të vlerësojmë rëndësinë e Kushtetuës dhe të zbatimit të saj.
Ai tha se kemi ende shumë punë për të bërë, porse angazhimet tona për funksionet e Kushtetutës do të mbeten në epiqendër të angazhimeve institucionale dhe shoqërore edhe në të ardhmen.
“Duke vlerësuar peshën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimin e hartimit, zhvillimit dhe avancimit të politikave publike të fushës së drejtësisë, konsideroj që kemi ende shumë punë për të bërë që funksionet e Kushtetutës për të fuqizuar shtetin, për të mbrojtur lirinë dhe për t’i dhënë qeverisjes stabilitet do të vazhdojnë të mbetën në epiqendrën e angazhimeve institucionale dhe shoqërore edhe në periudhat vijuese”, tha minsitri Tahiri.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, theksoi sfidën e radhës të Kushtetuteses, kalimin e saj në një institucion plotësisht vendor.
“Hapi i ardhshëm dhe më i rëndësishëm tani për Gjykatën Kushtetuese është edhe konsolidimi i kësaj gjykate në këtë fazë të tranzicionit meqenëse për herë të parë pas gati 10 vite punë, kjo gjykatë do të shndërrohet në një institucion plotësisht vendor, me gjyqtarë plotësisht vendor. Kjo është një sfidë që duhet Kuvendi i Kosovës ta tejkalojë në një kohë sa më të arsyeshme meqenëse po nuk kryhet si obligim gjykata rrezikon të mbetet edhe pa kuorum”, ka theksuar Rama-Hajrizi.
Në këtë tryezë folën edhe hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi e Gjylitea Mushkolaj, të cilët ndër të tjera përmendën edhe sfidat me të cilat është përballur Kushtetuta në këtë dhjetëvjetor të parë.