Kolegji AAB dhe Grupi “KOHA” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

22 Maj 2018

Me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit në sferën e botimeve dhe në pajtim me qëllimet dhe interesat e përbashkëta, Kolegji AAB dhe Grupi “KOHA” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u nënshkrua mes rektorit të Kolegjit AAB, z. Lulzim Tafa dhe drejtoreshës së Komerciales dhe Marketingut të Grupit “KOHA”, znj. Anita Toçi.

Me këtë rast, rektori z.Tafa falënderoi znj. Toçi për bashkëpunimin e vazhdueshëm që Grupi “KOHA” ka pasur me Kolegjin AAB.

“Shpresoj që këto dispozita që i kemi vendosur në marrëveshjen tonë të bashkëpunimit t’i implementojmë sa më me sukses. Ne do t’i angazhojmë ekipet tona nga sektorët përkatës brenda Kolegjit AAB që të kujdesen për implementimin e dispozitave të kësaj marrëveshje”, tha rektori Tafa.

Ai e njoftoi drejtoreshën e Komerciales dhe Marketingut të Grupit “KOHA”, znj. Anita Toçin edhe për kushtet që ofron Kolegji AAB për studentët, me theks të veçantë për bibliotekën dhe Shtëpinë Botuese AAB.

Në anën tjetër, drejtoresha Toçi e çmoi lartë gatishmërinë e Kolegjit AAB për bashkëpunim me Grupin “KOHA”, për të cilin bashkëpunim tha se stafi i këtij institucioni do të angazhohet për implementimin sa më të mirë të tij.

“Me të vërtetë na ka ardhur shumë mirë. Besoj që në të ardhmen, vetëm se është një derë e hapur në vazhdim të bashkëpunimit tonë, i cili besoj se do të jetë i suksesshëm”, u shpreh ajo.

Drejtoresha Toçi e përgëzoi rektorin Tafa për infrastrukturën moderne që Kolegji AAB ka krijuar për studentët, ku tha se është fasionuar me kushtet dhe arritjet e këtij institucioni.

Ajo, gjithashtu e njoftoi rektorin Tafa se ka një numër të madh të studentëve të Kolegjit AAB që punojnë si dhe që kryejnë praktikën në KTV, po ashtu edhe në gazetën “Koha Ditore” si dhe në portalin Koha.net.

Marrëveshja e bashkëpunimin që u nënshkrua mes Kolegjit AAB dhe Grupit “Koha” përfshinë: Promovimin e librave në mjediset e Kolegjit AAB të Grupi “KOHA”, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta profesionale dhe akademike, shfrytëzim të hapësirave (Teatri, amfiteatri, salla të tjera) si dhe forma të tjera të bashkëpunimit.

Kujtojmë se Kolegjit AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa komuna si dhe shumë institucione e organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.

Share: