Konferenca rajonale “Hapësirat në arsim” përmbyllet me simpoziumin në Kolegjin AAB

21 Tetor 2022

Është mbajtur simpoziumi në kuadër të konferencës rajonale ‘’Hapësirat e mësimit në arsim”, e organizuar nga Kolegji AAB. Të ftuar nga rajoni si: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe nga disa vende të Evropës, kanë diskutuar përgjatë këtij simpoziumi se si arsimi i lartë përcakton hapësirat në arsim dhe si duhet të jenë të zhvilluara ato, duke sjellur përvojat e tyre në lidhje me temën e konferencës.

Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha bashkë me prof. dr. James Williams nga Birmingham University, bënë hapjen e simpoziumit ku thanë se prezantimet që do paraqiten, do të merren në konsideratë më vonë, në lidhje me projektin që ka të bëjë me ‘’Hapësirat e mësimit në arsim”. Zv.rektori i Kolegjit AAB Shemsedin Vehapi, para të pranishmëve tregoi për ndërlidhjen e hapësirave me konceptin e mësimdhënies me studentin në qendër.

Ai tha se në Kolegjin AAB, rol të madh kanë hapësirat arsimore, por edhe mjedisi që siguron hapësira të mjaftueshme për realizimin e të gjitha veprimtarive, në veçanti programeve studimore që ofrohen.

Tutje prof. dr Theodor Leiber (Evaluation Agency Baden-Württemberg, Gjermani), që ishte edhe një nga partnerët e kësaj konference, ka dhënë propozime për parimet e dizajnimit të hapësirave të arsimit të lartë.

Në fund të simpoziumit pati pyetje për folësit dhe diskutime, ndërsa u shpërndanë edhe certifikata mirënjohjeje.

Share: