Me një ceremoni solemne, Kolegji AAB nderon ish deputeten e Parlamentit Evropian, Doris Pack, me Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime

1 Dhjetor 2022

Në Kolegjin AAB me një ceremoni speciale është nderuar një nga figurat më të rëndësishme, që dha kontribut e mbështetje për çdo proces në Kosovë që kishte të bënte me liri dhe pavarësi, ish deputetja e Parlamentit Evropian, politikanja e njohur gjermane Doris Pack.

Asaj i është dhënë “Çmimi Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime” të Kolegjit AAB, nga rektori prof.dr. Bujar Demjaha. Në fjalimin e tij, Demjaha tha se kontributi që dha zonja Pack që nga kohët e vështira e sfiduese për Kosovën, e deri në pavarësi dhe liri, i janë të gjithë mirënjohës. Ai e cilësoi zonjën Pack si politikane intelektuale, e ndershme dhe një zonjë të dalluar.

Zonja Pack shprehu mirënjohjen e thellë për nderimin që i është bërë nga Kolegji AAB, duke shtuar se kontributi i saj ishte një obligim për të mirën e një populli dhe një shteti si Kosova. Tutje shtoi se ky çmim dhe mirënjohja që i bëhen tregojnë qartë se si ndjehet populli i Kosovës për të. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, ambasadori i Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, politikanja Melihate Tërmkolli, shkrimtari Reshat Sahitaj dhe figura të tjera të rëndësishme.

Politikanja Tërmkolli, vlerësoi rolin e zonjës Pack në përfshirjen e gruas në politikë dhe vendimmarrje, derisa tha se ajo na ndihmoi në tërë rrugëtimin drejt lirisë dhe ndërtimin e një shtetit demokratik.

Gjatë ceremonisë pati edhe pika artistike, ku profesoresha Lule Elezi luajti në piano një vepër nga Bethoven, ndërsa Vesa Ibrahimi studente e Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB i dhuroi një vepër pikture me portretin e zonjës Pack.

Share: