Kryetari i Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, bashkëbisedoi me studentët e Administratës Publike të AAB-së

23 Nëntor 2018

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ishte i ftuari i radhës në kampusin e Kolegjit AAB në Prishtinë, në kuadër të serisë së debateve për qeverisjen lokale në komunat e Kosovës.

Në këtë ligjëratë, ai mes tjerash foli për sukseset dhe mangësitë që ka komuna e Klinës, duke shtuar se si kryetar është gjithmonë në shërbim të qytetareve dhe se transparenca dhe llogaridhënia ndaj tyre është në rend të parë.

“Çdo kërkesë që është bërë nga institucionet, nga gazetarët, nga qytetarët unë e kam dërguar tek organet kompetente dhe kanë marrë përgjigje. Do të thotë tansparenca është përkushtim i imi dhe obligim, sepse mendoj se ka ekzistuar një bindje e qytetarëve që kryetarët vinë në këto pozita për përfitime materiale. Më besoni se unë jam këtu për t’ i shërbyer qytetarit”, shtoi Elezaj.

Si sfidë për komunën e Klinës, kryetari i klinasve e cilësoi papunësinë e madhe të të rinjve. Sipas tij, një komunë si prioriret duhet ta ketë punësimin e studentëve. Ai theksoi se qëllimi kryesor në mandatin e tij si kryetar është stimulimi i të rinjve se si të arrijnë të hyjnë në tregun e punës.

Tutje, kryetari Elezaj diskutoi me studentët edhe për vendimin e fundit të marrë nga Qeveria e Kosovës për ngritjen e taksës së produkteve serbe. Ai tha se ky vendim është hapi më i mirë që Kosova ka bërë deri tani.

“Po flas si individ, mendoj që është hapi më i mirë që ka marrë Qeveria e Kosovës, që të dëshmojmë se dimë ta mbrojmë vendin prej kërcënimeve të caktuara. Është e drejtë e jona, sidoqoftë është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të përgatisë e krijojë skenarë se si të mbrohemi kur janë në pytetje këto situata”, tha kryetari Elezaj.

Takimi me studentë i kryetarit të Klinës në Kolegjin AAB përfundoi me një diskutim interaktiv, ku studentët u interesuan për çështje të ndryshme me të cilat ballafaqohet qeverisja lokale.

 

 

Share: