Studenti i AAB-së, Sylejman Sylejmani, pas studimeve në Gazetari ka filluar të punojë në gazetën Infokus

22 Janar 2019

Rrjetit të gazetarëve të Kosovës i është shtuar edhe një emër i ri. Bëhet fjalë për studentin e Kolegjit AAB, Sylejman Sylejmani, i cili menjeherë pas studimeve të Gazetarisë në AAB është punësuar si punëtor i rregullt në gazetën “Infokus”.  

Pas tri viteve të studimeve cilësore në Fakultetin e Gazetarisë në Kolegjin AAB, studenti Sylejmani synon të jetë një gazetar i saktë, korrekt dhe i paanshëm.

Ai tregon se periudha e studimeve në Kolegjin AAB i ka ndihmuar të jetë gazetar i pavarur dhe profesional. Ai gjithashtu shtoi se praktikat e ofruara nga ky department kanë bërë që të jetë më afër punës së gazetarëve që ushtrojnë këtë profesion tash e një kohë.

“Në degën e Gazetarisë në Kolegjin AAB, profesorët i kushtojnë shumë rëndësi pjesës praktike. Shumë prej lëndëve janë të atij lloji, që të përgatisin mirë për tregun e punës. Kjo pjesë mua më ka ndihmuar shumë që të jem i gatshëm për tregun”, tha Sylejmani.

Sylejmani falënderoi edhe stafin e mësimdhënësve të Fakultetit të Komunikimit Masiv në AAB. Sipas tij periudha e gjatë e tyre në profesionin e gazetarit i ka ndihmuar edhe studentët në përgatitjen e lajmeve, kronikave e reportazheve.

 “Ajo që më ka lënë më së shumti përshtypje gjatë studimeve në Kolegjin AAB është stafi mësimdhënës. Shumë prej tyre kanë një përvojë të gjatë në gazetari dhe atë përvojë nuk kanë ngurruar që ta ndajnë edhe me ne”, theksoi Sylejmani.

Share: