Duke parë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar sa i përket arsimit të lartë, Kolegji AAB ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Shën Klementi” në Shkup, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve me ketë institucion.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeve të bashkëpunimit këto dy institucione premtojnë mbështetjen e tyre për përfitime reciproke dhe gatishmërinë për të kontribuar në rritjen e bashkëpunimeve kulturore, arsimore, kërkimore dhe zhvillimore midis Maqedonisë dhe Kosovës. Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim Tafa dhe rektori i Universitetit të Shën Klemenit prof. dr. Saso Korunovski.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i pranishëm ishte edhe dekani i Fakultetit për Kriminologji, Kriminalistikë dhe Studime të Sigurisë i Universitetit të Sarajevës, Prof.dr. Nedzad Korajlic, i cili ka koordinuar vendosjen e bashkëpunimit në mes të këtyre institucioneve.
Prioritete të kësaj marrëveshjeje do të jenë, zhvillimi dhe koordinimi i çështjeve të rëndësishme në arsimin e lartë dhe arsimimin e mëtejshëm profesional, organizimi i programeve të përbashkëta në të gjitha nivelet e studimeve duke përfshirë edhe studimet e doktoratës, lidhjet e kërkimit, shkëmbimi i informacionit dhe rezultateve, vizitat e stafit dhe ofertat për financimin dhe kërkim nga Bashkimi Evropian. Po ashtu marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e stafit akademik dhe vizitat për këshilla dhe koordinim të standardeve, kurseve dhe zhvillimit të kurrikulave, si dhe çështje të tjera edukative dhe pedagogjike, mbështetjen e monitorimit, këshillimit dhe trajnimit për stafin akademik dhe administrativ.