Fakulteti Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB priti në një vizitë zyrtare një delegacion nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) i përbërë nga Dekanja e Fakultetit të Edukimit, Prof. Griselda Abazi, Zv. Dekanja, prof. Klodiana Leka dhe Shefja e Katedrës së Gjuhëve të Huaja, Prof. Anita Muho.
Ato u pritën nga Prorektorja Venera Llunji dhe udhëheqëset e Fakultetit të Gjuhës Angleze në AAB, Dekanja Aida Alla e Prodekanja Uranela Demaj.
Kolegji AAB dhe UAMD kanë një partneritet disa vjeçar dhe, në këtë kuadër, u diskutua për bashkëpunime të tjera në të ardhmen. U vendos partneritet reciprok për konferencat shkencore ndërkombëtare të radhës, të cilat do të mbahen përkatësisht në muajin qershor në UAMD dhe në shtator në Kolegjin AAB.
Gjithashtu, u diskutua për disa projekte të përbashkëta midis studentëve të gjuhës angleze të Kolegjit AAB dhe atyre të fakultetit të edukimit në UAMD.
Pro-Rektorja për Marrëdhënie me Jashtë, Prof. Venera Llunji, njëherazi edhe ligjëruese në Fakultetin e Gjuhës Angleze, u shpreh se një traditë e tillë duhet të zgjerohet edhe në projekte të tjera në nivel të institucioneve tona.