AAB do t’ ju sigurojë falas numra të VALA-s të gjithë brucoshëve dhe studentëve të vet

15 Shtator 2015

 Me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, Kolegji AAB, nënshkroi edhe një marrëveshje të re bashkëpunimi, me Telekomin e Kosovës. Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. LulzimTafa, dhe drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, z. Agron Mustafa.

Marrëveshja parasheh mbi 23 mijë studentët e Kolegjit AAB, për tri vitet e ardhshëm të mund të komunikojnë me mijëra studentë të tjerë, që tashmë janë pjesë e pakos N’Trip të operatorit publik Vala.

Rektori i Kolegjit AAB, duke i falënderuar të gjithëve pjesëmarrësit më rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje afatgjate – tre vjeçare, ndër të tjera tha: “Ne me Telekomin e Kosovës kemi pas bashkëpunim edhe në të kaluarën, por sot jemi pajtuar që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë  edhe në fusha të tjera të ndryshme. AAB me potencialet e veta, me studentët e vet, me stafin akademik dhe administrativ, do të shërbehet me shërbimet e Telekomit të Kosovës, ndërsa marrëveshja parasheh që edhe Telekomi i Kosovës të përkrahë aktivitet e ndryshme të AAB-së në fushën akademike, shkencore, artistike, sportive, etj..” 

Ndërsa drejtori menaxhues i Vala-s, z. Agron Mustafa, tha se është jashtëzakonisht i kënaqur me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, pasi që kjo marrëveshje për Telekomin e Kosovës, përkatësisht për Vala-n, është njëra ndër më të fuqishmet e realizuara deri tani. 

“Kjo është marrëveshje me kolegjin më të fuqishëm në vend, dhe e cila do të nisë të realizohet nga ky vit i ri akademik”, tha ai. “Me anë të kësaj marrëveshjeje i kemi precizuar disa gjëra. Në fakt, së paku 15 mijë studentë do të bëhen pjesë e komunitetit të pakos N’Trip të operatorit publik Vala”, njoftoi Mustafa.

Të gjithë studentët e AAB-së të cilët do të pajisjen falas me numra të rinj të VALA-s dhe do të jenë pjesë e pakos “N’Trip”, e cila është lansuar para tre muajsh, dhe synimet  e saja janë që pjesa më e madhe e të rinjve në Kosovë dhe studentët të jenë pjesë e kësaj pakoje, pasi është më atraktivja dhe me cilësinë më të lartë.

AAB dhe Telekomi i Kosovës, kanë bashkëpunuar edhe më herët me pikësynim përkrahjen e ngritjes së nivelit edukativ dhe profesional të të rinjve kosovarë, si dhe në krijimin e një ambienti më të volitshëm ekonomik.

Lidhja e kësaj marrëveshjeje në mes të AAB-së dhe Telekomit të Kosovës në frymën e partneritetit publiko-privat, është edhe një tregues i qartë për punën që po bëhet në AAB për ngritjen e cilësisë si në aspektin akademik e shkencor, po ashtu edhe të shërbimeve përcjellëse që ofron ky institucion i arsimit të lartë në Kosovë.

Share: