AAB në debatin global për Umberto Eco-n në Universitetin e Bolonjës

29 Maj 2026

Prorektori për kërkim shkencor i Kolegjit AAB, Hasan Saliu, ishte folës në panelin e parë të konferencës së parë botërore kushtuar figurës dhe trashëgimisë intelektuale të Umberto Eco-s, e organizuar nga Universiteti i Bolonjës.

Konferenca shkencore prestigjioze “Inheriting Eco. Umberto Eco, the University of Bologna and all the knowledge in the world”, e mbajtur në Bolonjë nga 27 deri më 29 maj 2026, mblodhi qindra studiues, profesorë dhe ekspertë ndërkombëtarë nga fusha e filozofisë, semiotikës, mediave, kulturës dhe komunikimit, duke e kthyer Universitetin e Bolonjës në qendrën globale të debatit akademik mbi mendimin e Eco-s dhe ndikimin e tij në epokën digjitale.

Në prezantimin e tij me titull “Umberto Eco and Van Dijck: From Apocalittici e Integrati to The Platform Society”, prof. asoc. dr. Hasan Saliu trajtoi transformimin e mediave nga epoka e televizionit drejt shoqërisë së platformave digjitale, duke ndërlidhur konceptet e Umberto Eco-s me teorinë bashkëkohore të platformave të José van Dijck. Ai vuri në pah se pyetjet që ngriti Umberto Eco dekada më parë mbi kulturën masive, manipulimin mediatik dhe raportin e publikut me teknologjinë, sot janë më aktuale se kurrë në epokën e platformave digjitale dhe inteligjencës algoritmike.

Kjo ishte konferenca e parë shkencore e organizuar ndonjëherë për Umberto Eco-n, e mbajtur dhjetë vjet pas vdekjes së tij, pikërisht sipas dëshirës që vetë Eco kishte shprehur gjatë jetës: që një konferencë shkencore për veprën dhe trashëgiminë e tij të organizohej vetëm një dekadë pas largimit të tij nga jeta, në mënyrë që vepra e tij të vlerësohej me distancën e nevojshme kritike dhe akademike.

Një nga momentet më simbolike të konferencës ishte edhe ceremonia e dorëzimit të bibliotekës personale të Umberto Eco-s për Universitetin e Bolonjës, ku rreth 40 mijë libra e materiale shkencore iu dorëzuan këtij universiteti për shkak se Eco ka dhënë kontributin kryesor jetësor në këtë universitet dhe se paraqet universitetin më të vjetër në botë (i themeluar më 1088).

Pjesëmarrja e prorektorit Saliu si folës në këtë konferencë ndërkombëtare përfaqëson një tjetër dëshmi të angazhimit të Kolegjit AAB për ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor dhe përfshirjen aktive në debatet më të rëndësishme akademike globale.

Më gjerësisht për konferencën mund të lexoni këtu: https://eventi.unibo.it/conference-umberto-eco-2026

Share: