AAB nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Isa Boletini” nga Mitrovica

15 Mars 2021

Me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe promovimit të mirëkuptimit mes dy institucioneve të arsimit të lartë, Kolegji AAB dhe Universiteti “Isa Boletini” nga Mitrovica, nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshje e nënshkruar nga rektorët respektivë, Bujar Demjaha dhe Alush Musaj, u nënshkrua në ambientet e UIBM, ndërsa përmes saj do të specifikohen fushat e bashkëpunimit.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, u shpreh se pret që bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve të jetë i frytshëm dhe të prodhojë rezultat të prekshëm.

Nga ana tjetër, rektori i UIBM, Alush Musaj, vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë brenda vendit është i domosdoshëm dhe tepër i nevojshëm, si për studentët ashtu edhe për stafin akademik.

Përmes marrëveshjes së arritur sot, pritet të krijohet partneritet në mes të palëve në fushën profesionale, arsimore dhe shkencore që përfshinë të gjitha programet e studimit të organizuara nga palët nënshkruese. Marrëveshja konsiston në bashkëpunimin profesional mes stafit akademik dhe administrativ, bashkëpunimin e studentëve të cikleve të ndryshme të studimit për periudha semestrale studimi ose për periudha të praktikave, aktivitete dhe publikime të përbashkëta në kërkim shkencor etj..

Share: