Aktori Tafa – ambasador kulturor i Kosovës në vendet e ish-Jugosllavisë

7 Mars 2022

Ilir Tafa ka promovuar Kosovën në vendet e ish-Jugosllavisë në kohën kur këtë nuk ka mundur ta bëjë politika, në vitet e para të pas shpalljes së pavarësisë. Kjo thuhet në një studim të botuar këtë javë nga Vilnius University Press i Lituanisë.

Sipas këtij studimi të indeksuar në Scopus, Kosova pas shpalljes së pavarësisë e ka pasur mjaft të vështirë që ta promovojë veten ndaj audiencave të huaja dhe këtë e kanë bërë kryesisht sukseset e artistëve dhe sportistëve të talentuar.

Nga ana tjetër, thuhet në këtë studim, komunikimi i aktorëve kosovarë, veçanërisht me publikun në rajonin e ish-Jugosllavisë, ka qenë i vështirë në pesë vitet e para pas shpalljes së pavarësisë. Por, Ilir Tafa, një aktor nga Prishtina, në atë kohë ushtronte diplomaci kulturore me vende me të cilat Kosova nuk kishte asnjë komunikim zyrtar, si Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

“Përmes serialit boshnjak “Lud, zbunjen, normalan”, Tafa interpretoi personazhin e një të riu nga Kosova. Në personazhin e Mentor Kosovës, Tafa ka komunikuar me publikun e vendeve të ish-Jugosllavisë, pasi ky serial është transmetuar në Televizionin Federal të Bosnjës, Nova TV të Kroacisë, Televizionin A1 dhe Channel 5 të Maqedonisë së Veriut, në Televizionin Publik të Serbisë RTS dhe në Mal të Zi në RTV News. Për katër vite me radhë, në disa episode, personazhi i Tafës flet shqip, diskuton muzikën e Kosovës, shkallën e tolerancës që ka shoqëria shqiptare e Kosovës ndaj kategorive të frustruara, si homoseksualët etj.”, thuhet në këtë studim, i cili titullohet “Cultural Diplomacy of Kosovo after the Declaration of Independence”.

Komunikimi i Tafës me publikët në Ballkan, thuhet më tej në këtë studim, është mjaft i rëndësishëm sepse që nga vitet 1990 komunikimi vleror i Kosovës me serbët dhe boshnjakët është ndërprerë dhe, siç thekson njëri nga studiuesit më të cituar të praktikimit të diplomacisë publike në botë, Mark Lenonard, “diplomacia publike dhe kulturore duhet të fokusohen në vendet që janë më të vështira dhe të rëndësishme për interesat e një vendi dhe jo në ato që janë më të lehta për t’u ndikuar”.

Sipas këtij studimi, përcjellja e mesazheve promovuese të artistëve, aktorëve dhe sportistëve të suksesshëm të Kosovës në botë, si Rita Ora, Ilir Tafa, Arta Dobroshi, Majlinda Kelmendi etj., është mjaft e rëndësishme në rritjen e imazhit ndërkombëtar të vendit, të cilët praktikisht disiplina i njeh si ambasadorë publikë kulturorë të një vendi në botë.

Share: