Ambasadori i Republikës së Bullgarisë, Hristo Gudjev, mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB

19 Tetor 2020

Seria e ligjëratave për Politikën e Jashtme, për studentët e nivelit master në programin Administratë Publike dhe Diplomaci, ka vazhduar me ligjëratën e Ambasadorit të Republikës së Bullgarisë, Sh.T. Ambasadorin Hristo Gudjev.

Nën udhëheqjen e prof. Nexhmedin Spahiut, ambasadori Gudjev shpalosi shumë tema interesante që lidheshin me historinë e ndërtimit të shtetit bullgar nëpër periudha historike të njohura tashmë. Ai foli për pozitën territoriale të Bullgarisë ndër shekuj, pushtimet dhe luftërat e zhvilluara deri në pavarësimin e Bullgarisë.

Ambasadori Gudjev më pas diskutoi me studentët për politikën e jashtme të Republikës së Bullgarisë dhe rolit të saj në forcimin e marrëdhënieve diplomatike me vende të ndryshme duke përfshirë edhe Kosovën.

Duke folur për integrimin e Bullgarisë në BE, ambasadori Gudjev theksoi dy çështje të rëndësishme: “Çfarë do t’ i sillte BE-ja Bullgarisë, por edhe çfarë do t’ i sillte Bullgaria BE-së?

– Anëtarësimi në BE ishte një sfidë dhe mundësi e madhe për Bullgarinë në të gjitha fushat: në politikë, shoqëri dhe ekonomi meqë çdo gjë duhej t’ i përshtatej standardeve evropiane. Vetëm me përmbushjen e këtyre standardeve mund të arrihej një jetë cilësore në përgjithësi. Bullgaria nuk ka përjetuar trazira dhe konflikte serioze edhe pse ka probleme të kohëpaskohshme por që mund të zgjidhen”, tha Gudjev.

Duke folur për modelin e qeverisjes në Bullgari, diplomati bullgar tregoi se mbi 3% e popullatës në Bullgari janë të komunitetit romë, ndërsa më shumë se 10% i përkasin komunitetit turk dhe se ata janë të përfshirë në të gjitha nivelet e pushtetit.

Një element tjetër që u theksua në këtë ligjëratë ishte edhe siguria, duke pasur parasysh se Bullgaria paraqet jo vetëm kufirin lindor të BE-së por kufizohet edhe me disa vende të Evropës Juglindore, ku ka pasur dhe ka probleme. Prandaj qeveria bullgare mendon se Bullgaria mund të luajë një rol të rëndësishëm për tejkalimin e këtyre problemeve dhe për afrimin e tyre me BE-në, që është edhe një prej synimeve të shprehura në Samitin e Selanikut. Kjo është edhe një nga arsyet pse Bullgaria i kushton një vëmendje të posaçme bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe jo vetëm, theksoi Gudjev. Sipas tij, në Bullgari bëhen përpjekje të mëdha që me shtetet fqinje të zhvillohet një bashkëpunim shumë i mirë dhe të ketë mirëbesim të plotë sepse është në interesin e shtetit bullgar që të bashkëpunohet në të gjitha fushat, si në: ekonomi, siguri, politikë, kulturë, shkencë e arsim.

Bullgaria ka dëshmuar se është një bazë stabiliteti dhe mirëkuptimi dhe mbi këto baza ndërtohet edhe bashkëpunimi mes Republikës së Bullgarisë dhe asaj të Kosovës.

Ambasadori bullgar Hristo Gudjev, përveç ligjëratës me studentë zhvilloi edhe një takim me rektorin e Kolegjit AAB, Dr.Sc. Bujar Demjaha dhe pro-rektoren për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Ass. Dr. Venera Llunji, ku u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit mes Ambasadës së Bullgarisë dhe zyrës për bashkëpunim të kësaj ambasade dhe Kolegjin AAB, në fushën e arsimit, shkëmbimit të përvojave, aktiviteteve të ndryshme kulturore, pjesëmarrjes në konferenca, shkëmbimit të studentëve dhe stafit, e tema të tjera të arsimit të lartë.

Share: