Ambasadori i Zvicrës Sh. T. Thomas Kolly, mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB, në degën e Ferizajit

6 Maj 2022

Dje, në Kolegjin AAB, në kampusin e Ferizajt, ishte për vizitë dhe takim me studentë Sh.T. Thomas Kolly, Ambasador i Zvicrës. Sh.T. Ambasadori Kolly në praninë e një numri të madh studentësh të Fakultetit të Gjuhës Angleze dhe Fakultetit Juridik shtjelloi tema interesante nga përvoja e tij personale në ngritjen e tij profesionale dhe rëndësinë që njohja e gjuhëve të huaja luan në jetën e secilit. Ambasador Kolly përshkroi përvojat e tij gjatë punës së tij si diplomat në shumë vende të botës, për mundësitë e njohjes nga afër të kulturave dhe traditave të ndryshme të popujve të ndryshëm, për sfidat dhe vështirësitë të cilat i kishte përjetuar gjatë gjithë viteve të ndërtimit të tij si diplomat që nga koha e studimeve, ndikimit që familja mund ta ketë në zhvillim të një individ.

Ai poashtu pati një porosi për studentët: “Jepini qëllim jetës tuaj dhe pastaj ndiqeni atë qëllim. Mos u dorëzoni ndaj sfidave dhe vështirësive që mund t’i keni gjatë rrugës për ta realizuar qëllimin tuaj. Po të ndalesha unë, nuk do të bëhesha diplomat. Por unë kisha qëllim më të madh në jetë, të shkollohesha e ta ndërtoja jetën time ashtu siç e ëndërroja vet. Prandaj, ndiqni ëndrrën sepse një ditë e mbërrini.” 

Ambasador Kolly u prit paraprakisht në një takim me drejtorin e kampusit të Ferizajt, Shaip Bytyçi, dhe pro-rektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, Venera Llunji të cilët i dhanë informacione për punën aty dhe aktivitetet e ndryshme që organziohen në atë kampus.

Share: