Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB

12 Tetor 2020

Në kuadër të takimeve tashmë të rregullta me ambasadorë të akredituar në vendin tonë, për studentët e nivelit master të Administratës Publike dhe Diplomacisë, në Kolegjin AAB qëndroi ambasadorja e Republikës së Kroacisë, Sh.S. Danijela Barišić.

Ajo mbajti një ligjëratë dhe bashkëbisedoi me studentët e AAB-së për politikën e jashtme të Kroacisë me ç’ rast dha një pasqyrë të përmbledhur të historisë së Republikës së Kroacisë që nga themelimi i saj e deri në pavarësinë nga ish- federate jugosllave.

Barišić tregoi përvojat e hidhura gjatë luftës në Kroaci në vitet e ’90 dhe më pas sfidat për pavarësimin e saj dhe gjithë rrugën deri më sot.

Diplomatja kroate i njoftoi studentët për pengesat dhe problemet me të cilat është ballafaquar edhe shteti kroat pas pavarësimit, çështjet e përcaktimit të kufirit kroat me fqinjtë e vet, marrëveshjen e Dejtonit dhe qëllimin e asaj marrëveshjeje; ndarjen e pasurisë shtetërore mes republikave të ish- Jugosllavisë dhe një mori sfidash e vështirësish të tjera me të cilat janë përballur deri në të tashmen.

Ambasadorja Barišić foli edhe për rrugën të cilën e ka ndjekur Kroacia për t’ u bërë anëtare e BE-së dhe e NATO-s si dhe anëtarësimin e Kroacisë në OKB.

Para takimit me studentët, Ambasadorja Barishiq u prit në këtë takim nga rektori, Dr.Sc. Bujar Demjaha dhe zv.rektorja për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Ass. Dr. Venera Llunji.

Në takim u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit mes Kolegjit AAB dhe Ambasadës kroate në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës, për mundësinë e lidhjes së bashkëpunimit me universitetet kroate me qëllim të krijimit të raporteve bashkëpunuese të nivelit akademik dhe nivelit të studentëve, së pari, por edhe me qëllim të krijimit të një rrjeti më të gjërë mes institucioneve arsimore të të dy vendeve tona.

Share: