Brucoshët e vitit të ri akademik 2023/24 të Kolegjit AAB mirëpriten me ceremoni solmene

6 Tetor 2023
The freshmen of the new academic year 2023/24 of AAB College are welcomed with a solemn ceremony

Përmes një ceremonie solemne të organizuar nga Kolegji AAB janë mirëpritur brucoshët që do fillojnë vitin e ri akademik 2023/24. Ata tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre në fushat e shumta të studimeve, ndërsa rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa me anë të disa mesazheve të veçanta iu uroi mirëseardhje.

“Kjo ditë nuk është e rëndësishme vetëm për ju por për të gjithë ne, sepse po filloni etapën kyçe të jetës studentore dhe këtë po e bëni me ne. Nga sot emri juaj dhe i Kolegjit AAB janë të njësuar. Rruga e suksesit nuk është e lehtë duhet shumë punë, mund dhe sakrificë. Puna jonë është të përgatisim kuadro për tregun e punës jo vetëm në Kosovë, por në tregun rajonal dhe atë global. Përveç mësimeve, studimet edhe përjetohen prandaj mos hezitoni ta shijoni jetën studentore në ambientet relaksuese që ka kolegji”, tha rektori Tafa.

Për të vulosur dhe treguar qartë ndikimin dhe rolin e studentëve në institucionin tonë, përmes një fjale rasti Gent Anadolli kryetari i Unionit të Studentëve tregoi rrugën që duhet ndjekur.

“Vendi ku do përjetoni sfida e suksese, do gjeni mentorë që do iu frymëzojnë në gjithë rrugëtimin tuaj të arsimit është pikërisht Kolegji AAB. Eksploroni çdo mundësi e çdo sfidë në jetën akademike, andaj jeni kërkues ndaj stafit akademik, administrativ dhe bashkëpunoni me kolegët tuaj”, u shpreh Genti.

Se suksesi i studentëve të diplomuar dhe hapësira për ta në Kolegjin AAB edhe pas studimeve është një nga parimet e institucionit, e konfirmoi autorja, producentja dhe moderatorja në televizionin ATV njëherazi edhe asistente në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB Flaka Vitaku.

Flaka motivoi studentët të luftojnë për ëndrrat e tyre dhe të tregojnë përkushtimin e duhur.

“Unë ende jam pjesë e familjes së madhe të Kolegjit AAB, pasi një nga parimet e institucionit është të mbaj studentët e zellshëm afër vetes. Kurse juve ju dëshiroj sukses, shumë punë dhe në këtë mënyrë AAB nuk do iu harroj kurrë, do përfundoni çdoherë të shpërblyer”.

Në këtë ceremoni pati edhe pika artistike nga ish studenti i Kolegjit AAB tashmë këngëtar i njohur Arbër Krasniqi, që argëtoi të pranishmit.

Pas ceremonisë studentët takuan dekanët e fakulteteve për të parë sallat ku do zhvillojnë ligjëratat, të cilat fillojnë nga data 7 tetor për studentët e së shtunës ndërsa për ata të rregullt nga data 9 tetor 2023.

Nga sot Kolegji AAB është bashkëudhëtari juaj në rrugën akademike, suksese dhe shëndet studentë tanë të dashur!

Share: