Çmimi Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” i Kolegjit AAB për vitin 2021 iu nda shkrimtarit boshnjak Abdulah Sidran

25 Qershor 2021

Në një ceremoni madhështore të organizuar në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB, ku morën pjesë personalitete të njohura nga institucionet publike, shkrimtarë, artistë, profesorë e studentë si dhe familjarët e poetit të ndjerë Ali Podrimja, Çmimi Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja” i Kolegjit AAB për vitin 2021 iu nda shkrimtarit boshnjak, akademikut Abdulah Sidran.

Në këtë solemnitet, kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se është kënaqësi e madhe që ky Çmim po i ndahet një shkrimtari të njohur jo vetëm në Bosnjë por edhe në Ballkan e më gjërë.

“Zoti Sidran, ju kemi ftuar për t’ ju dhënë Çmimin që mban emrin e mikut tuaj dhe mikut tim “Ali Podrimja”.
Nëse ai është duke na parë tani, jam shumë i sigurt që do të jetë shumë i lumtur. Ju kemi ftuar edhe për një gjë tjetër, për t’ ju thënë faleminderit për brilantet tuaja poetike dhe për artin e madh që i keni dhuruar njerëzimit”, tha Tafa.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se ndjehet i nderuar që merr pjesë në ceremoninë që nderon krijimtarinë artistike të një poeti, me një çmim që mban emrin e një poeti po ashtu të madh.
Kryeministri Kurti tha se nëpërmjet vargjeve z.Sidran na bashkoi me dhimbjet, plagët e katrahurat që mbijetoi populli i tij, e që pak vite më vonë do të bëheshin realiteti dhe e vërteta edhe te populli ynë.

Ai tha se gjurmët që ka lënë z. Sidran në letërsinë boshnjake dhe në atë të Ballkanit janë të pashlyeshme. Ato do t’ i shërbejnë fort kujtesës kolektive të popujve ndaj të cilëve historia shumë herë u tregua e pamëshirshme.

Ndarjen e Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja”, për shkrimtarin boshnjak Abdulah Sidran, e vendosi juria në përbërje: Halil Matoshi, Naime Beqiraj, Lulzim Tafa, Rrahman Paçarizi e Vlora Konushevci.

Në arsyetimin e jurisë, të cilin e dha Halil Matoshi, u tha se ky Çmim i ndahet shkrimtarit Abdulah Sidran, për artin e tij të madh duke pasur parasysh vlerësimet dhe konsideratat më të larta për të. Ndërsa Çmimin, fituesit të vitit 2021 ia dorëzoi rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha.

Në ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit “Ali Podrimja”, laureati i vitit 2021, mbajti një fjalim emotiv para të pranishmëve.

“Njerëzit rëndom mendojnë se çdo guaskë e marrë nga fundi i detit mban në vete një margaritar. Por jo çdo guaskë ka një margaritar. Margaritar kanë vetëm ato guaska që kanë përjetuar një goditje të jashtme, kanë pësuar plagë të rëndë në trupin e tyre, dhe për ta shëruar atë plagë, ato sekretojnë një lëng të tillë që më vonë shndërrohet në margaritar.

Talentet tona kanë lindur nga një lot, margaritarët tanë kanë lindur nga plagët tona dhe unë dua që të gjithë këtu ta kuptojmë këtë si një e vërtetë që lidhet me individin dhe si një e vërtetë që lidhet me popujt tanë, kolektivitetet tona.

Ajo që është më e bukura në to, ka lindur nga plagët e popujve tanë dhe njerëzve tanë. Dhe të shpresojmë që plagët aktuale të cilat i kemi dhe nëpër të cilat po kalojmë në të ardhmen të japin perla të mrekullueshme dhe të bukura që do të jenë krenaria e njerëzve.

Faleminderit te gjithëve. Unë jam vërtet një njeri i lumtur sonte”, tha Sidran.
Kujtojmë se Çmimin Ndërkombëtar për Letërsi dhe Art “Ali Podrimja” të cilin e ndan Kolegji AAB, deri tani e kanë fituar shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare dhe shkrimtari i madh malazias Jevrem Bërkoviq.

Share: