Diplomuan edhe shtatë doktorë shkencash nga Kolegji AAB

14 Korrik 2016

Krahas arritjeve dhe zhvillimeve të vazhdueshme në të gjitha fushat, rëndësi të veçantë AAB i ka kushtuar dhe i kushton zhvillimit të stafit akademik. Në këtë aspekt AAB ndihmon dhe përkrah vazhdimisht stafin akademik, për vazhdimin e studimeve të doktoratës, përmes bashkëpunimit dhe partneritetit me universitete nga rajoni, Evropa dhe më gjerë.

Vetëm gjatë vitit akademik 2015/ 16, shtatë mësimdhënës të rregullt të Kolegjit AAB me sukses të lartë i kanë mbrojtur temat e doktoratës në universitete të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Austrisë.

Nga fusha e gjuhës angleze, doktoraturat e tyre i kanë mbrojtur mësimdhënësit Xhavit Rexhaj, në Universitetin e Tiranës (teza: “Zbatimi i konstruktivizmit në mësimin e gjuhës angleze në shkollat e Kosovës”), si dhe Hysen Kasumi, në Universitetin Europian të Tiranës (teza: “Strategji dhe metoda efektive të rritjes së cilësisë së përvetësimit të gjuhës angleze”).

Tezat e tyre të doktoraturës në Universitetin Europian të Tiranës  i kanë mbrojtur edhe mësimdhënësit: Venera Llunji, në Fakultetin e Shkencave Sociale (teza: “Nacionalizmi si ideologji në programet e partive politike shqiptare në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj”), Naim Ismajli në Fakultetin Ekonomik (teza: “Burimet njerëzore në pushtetin lokal në Kosovë (Vlerësimi i performancës ndikon në motivimin e burimeve njerëzore”),  Jusuf Qarkaxhija, po ashtu në Fakultetin Ekonomik (teza: “Interneti në brez të gjerë dhe tregtia elektronike, rasti i Kosovës”), si dhe Petrit Bushi ( teza: “Hetimet financiare dhe konfiskimi i produkteve të krimit”).

Ndërsa, nga fusha e arkitekturës, doktoraturën e ka mbrojtur edhe mësimdhënësja Teuta Jashari-Kajtazi, në Universitetin Teknik të Vjenës (TU), (teza: “Prapa identitetit kombëtar: Aktiviteti politik dhe social nëpërmes arkitekturës- socializmi liberal në Kosovë”) .

Me marrjen e gradës Doktor Shkencash edhe të këtyre kandidatëve, Kolegji AAB rikonfirmon pozicionin e tij të parë nga të gjitha institucionet jopublike në vend, ndërsa kriteret, rregullat dhe metodat e funksionimit të këtij institucioni kanë vënë standarde të reja në vend dhe më gjerë në fushën e arsimit të lartë.

Gjatë vitit akademik 2016/17, nga Kolegji AAB pritet të mbarojnë studimet e doktoratës edhe rreth 20 mësimdhënës të tjerë, të cilët janë në proces e sipër në universitete prestigjioze jo vetëm në vend dhe rajon, por edhe në universitet evropiane si në Austri, Gjermani, Britani të Madhe, etj.

Share: