Për ta shënuar Ditën e Konkurrencës në Kolegjin AAB është mbajtur një ligjëratë për studentët e Fakultetit Ekonomik.
Në këtë ligjëratë ishin prezentë kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës Neime Binaku-Isufi, përfaqësuesi Adrian Mustafa dhe dy ekspertët nga Bashkimi Evropian Eugene Stuart Këshilltar Ndërkombëtar Ligjor dhe Politik; Elonas Satas nga Këshilli Lituanez i Konkurrencës.
Folësit u fokusuan në mënyrën sesi funksionon ligji i konkurrencës në Kosovë dhe cilat janë rregullat që ndjek, ku përmes shënimit të kësaj dite u tha se synohet të promovohet kultura e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.
Një ndër pikat kryesore ishte edhe përfitimi i konsumatorit gjatë zbatimit të ligjit të konkurrencës, pasi në këtë mënyrë arrihet një treg i barabartë për ta dhe për bizneset.
Në fund studentët parashtruan pyetjet e tyre derisa u ftuan të ndanin edhe përvojat që kishin në rast të ndonjë parregullsie apo moszbatimi të ligjit të konkurrencës.