Dita e verifikimit të fakteve, Kolegji AAB dhe Kallxo.com organizuan ligjëratë speciale për studentët e gazetarisë

5 Prill 2017

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve (International Fact-Checking Day), Fakulteti i Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB dhe KALLXO.com, organizuan ligjëratë speciale në temën: “Mos lejoni me ju mashtru: Verifikoni faktet”, ku ligjërues para studentëve ishin Drejtori Ekzekutiv i “Internews Kosova”, Faik Ispahiu, si dhe redaktori i “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi.

Z.Ispahiu në këtë ligjëratë njoftoi studentët për “Krypometrin”, platformë kjo që e ka aplikuar “Kallxo.com”, e cila merret me monitorimin, verifikimin e më pas publikimin e gënjeshtrës së akterëve llogaridhënës.
“Krypometri” është pjesë e “Fact-Checking”-ut ndërkombëtarë. […] Kripën e kemi përdorur si metaforë të gënjeshtrës, duke u treguar edhe detaje të tjera të kategorizimit të gënjeshtrës të aplikuara në “Krypometër”si: “Me kos”, “Rrenë”, “Rrenë e krypur”, etj.
Pos gënjeshtrës, “Krypometri” merret edhe me të vërtetat, duke i klasifikuar deklaratat apo premtimet e llogaridhënësve si: “Të vërteta” dhe “Pjesërisht të vërteta”.

Ndërsa, Kreshnik Gashi tha se kjo platformë e cila ka ardhur edhe si kërkesë e rendit të ri botëror të gazetarisë është nisur si ide qysh para dy viteve dhe se për dy vite radhazi u është dashur shumë punë për mënyrën e realizimit, dhe vetëm në dhjetor të vitit të kaluar është lansuar në uebfaqen e“Kallxo.com”.

“Krypometri ka qenë diçka e re në skenën e informimit në Kosovë, pasi që deri më tani nuk është matur niveli i përputhshmërisë së fakteve të deklaratave të politikanëve”, tha Gashi, duke shtuar se kjo platformë ka ardhur me qëllim që akterët llogaridhënës të kenë kujdes në deklarimet e tyre publike.

Në këtë ligjëratë u fol edhe për besueshmërinë e informacioneve nga skena mediatike në Kosovë, si dhe për sfidat me të cilat janë përballur në vazhdimësi “Internews Kosova” dhe “BIRN”, si nga puna e vështirë në terren, problemi me qasjen në dokumente zyrtare e deri te proceset gjyqësore që kanë pasur deri më tani.

Gjatë tërë ligjëratës studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv ishin të përfshirë në mënyrë interaktive në debat duke u interesuar për çështje me të cilat ballafaqohen gazetarët e mediet dhe duke shprehur qëndrimet e tyre për verifikimin e fakteve si një domosdoshmëri për informacion të qëndrueshëm.

Share: